“Shkolla greke në Himarë nuk ka leje ndërtimi dhe licensë”
Pëlqej
Albeu.com
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Himarës thotë se nuk ka patur dijeni për përurimin e shkollës greke dhe se gjithçka është mbajtur e fshehtë nga kryetari i bashkisë, Vasil Bollano.Këshilli Bashkiak i Himarës nuk ka miratuar asnjë leje ndërtimi apo rikonstruksioni për shkollën greke e cila u inaugurua dy ditë më parë, në prani edhe të zëvendësministrit grek të arsimit, Stilionidhis. Kështu ka deklaruar për gazetën “Shekulli” kryetari i këshillit bashkiak të Himarës, Savo Prifti. Ai shton se është çuditur kur ka mësuar nga mediat për inaugurimin e shkollës dhe për ardhjen e zyrtarit të lartë grek. Sipas Priftit, askush në Këshillin Bashkiak të Himarës nuk ka patur dijeni për këtë vizitë dhe gjithçka është mbajtur e fshehtë nga kryetari i bashkisë, Vasil Bollano. Por nuk është kjo akuza e vetme që Prifti ngre për kryebashkiakun e Himarës. Sipas tij, Bollano mban shumë të fshehta. “Në Himarë po hidhen shumë para dhe askush nuk ka informacion kush po i financon ato”,-thotë ai.
Z. Prifti, a e ka miratuar Këshilli Bashkiak i Himarës lejen e ndërtimit për shkollën private greke në fshatin e Himarës?
Absolutisht jo. Në mbledhjet e këshillit Bashkiak të Himarës, jo vetëm që nuk është miratuar ndonjë leje ndërtimi apo leje rikonstruksioni të godinës, por një kërkesë e tillë as që është paraqitur tek ne. ǒështë e vërteta, e mësuam inaugurimin e shkollës dhe ardhjen e zëvendësministrit grek të arsimit nga media sepse zyrtarisht nuk kemi patur as edhe një njoftim. Në bazë të ligjit mbi pushtetin lokal, kryetari i bashkisë, zoti Bollano, duhej të kishte njoftuar autoritetet lokale për këtë vizitë ndërkohë që një gjë e tillë nuk është bërë. Gjithçka është organizuar në fshehtësi të plotë.
Ju po thoni se nuk keni patur as edhe një dijeni për ndërtimin e shkollës greke në zonën ku edhe jeni kryetari i Këshillit Bashkiak?
ǔështë e vërteta ka mëse një vit që në qytet flitet për ndërtimin e kësaj shkolle, por ne nuk e dinim që ajo do të inaugurohej apo nëse e kishte marrë licensën nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Meqë flitej për hapjen e një shkolle greke, unë në cilësinë e kryetarit të Këshillit Bashkiak, i kam kërkuar zotit Bollano dokumentacionin e plotë për shkollën. Jo vetëm para një viti, por edhe sot e kësaj dite, në këshillin bashkiak nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë ligjshmërinë e ndërtimit të shkollës.
Kjo do të thotë se ju nuk dini as vlerën financiare të ndërtimit të kësaj shkolle?
Sigurisht. Edhe për këtë nuk ka asnjë informacion zyrtar në Këshillin Bashkiak, por ky nuk është investimi i vetëm në Bashkinë e Himarës për të cilin ne nuk kemi të dhëna se kush e ka financuar dhe sa e ka vlerën. Ka disa projekte për financimet e të cilëve ne nuk kemi dijeni. Edhe për këtë i kemi kërkuar të dhëna kryetarit të bashkisë por deri më sot nuk na ka vënë në dispozicion asnjë dokument.

Z. Prifti ju thatë pak më parë se godina e shkollës është rikonstruktuar dhe për këtë nuk është marrë leje ndërtimi. Shkolla është ndërtuar në një truall privat apo pronë publike?
Ajo që dihet me saktësi është fakti që para vitit 1990 godina ishte një objekt i inventarizuar në ish-ndërmarrjen bujqësore, ndërkohë që kisha ngre pretendimet se është pronë e saj. Në këshillin bashkiak nuk ekziston asnjë dokument për të provuar pronësinë e kishës mbi objektin. Megjithatë, ne do të përdorim të gjitha kompetencat ligjore për t’u njohur me dokumentacionin e plotë të shkollës e cila dy ditë më parë u inaugurua fshehtas nga z Bollano.
Deri sa thoni që për këtë ndërtesë nuk ekziston asnjë dokument, çfarë mund të bëni ju si kryetar i Këshillit Bashkiak ndaj një objekti pa leje?
Ajo që unë kam bërë është njoftimi mbi këtë çështje i institucioneve prej të cilave ne varemi nga ana ligjore, ndërkohë që në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak do të rishqyrtohet se si qëndron problemi i shkollës. Deri sa të marrim informacione të sakta mbi këtë objekt nuk do të nxitoja të prononcohesha publikisht se si do të veprohet për shkollën e inauguruar dy ditë më parë.
Cili është komenti juaj mbi thirrjet e hedhura gjatë inaugurimit të saj?

Dëgjo, unë nuk do të preferoja të ndalesha në thirrjet e tilla, por dua të shpreh se ajo që ju keni dëgjuar nuk përfaqëson mendimin e himarjotëve. Në Himarë jetojnë shumë më shumë qytetarë nga sa patë ju në një takim për inaugurimin e një shkolle që deri më tani nuk rezulton e ligjshme.

Zëvendësministri i Ekonomisë,
Bojaxhiu, bojkoton përurimin
I pranishëm në Himarë ka qenë edhe zëvendësministri shqiptar i Ekonomisë dhe Energjetikës, Gjergji Bojaxhi, i cili nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Himarë-fshat. Bojaxhi ka bojkotuar aktivitetin pasi ka mësuar që shkolla 9- vjeçare greke që po inaugurohej në prani edhe të zëvendësministrit grek të arsimit, Stilionidhis, ishte e palicensuar.

Kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano
“Nuk di sa ka kushtuar shkolla”
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, pohon për gazetën faktin së ndërtimi i shkollës është financuar nga qeveria greke, por nuk bën me dije shumën e akorduar. Po kështu ai nuk thotë se cili do të jetë profili i shkollës apo sa nxënës do të mund të shkollohen në të. Për Bollanon e rëndësishme është hapja e shkollës në gjuhën greke.
Brenda asaj që në inaugurim u quajt “shkolla e parë greke në Himarë” nuk kishte as edhe një bankë apo dërrasë të zezë. Të vetmet që justifikonin organizimin e ceremonisë së inaugurimit të një shkolle ishin ca libra të vjetër në gjuhën greke të hedhura në një cep të ndërtesës e mbushur me flamuj të shumtë grekë.
Lindita Çela, Shekulli
Shtuar më 28/02/2006, ora 09:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori