Shkodra pa kryetar bashkie, çdo gjë në dorën e KQZ
Shkodra është kthyer në një çështje serioze, ku duhen kalkuluar tashmë shumë nene të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe ky pa asnjë diskutim kërkon edhe një qasje politike, gati-gati të një marrëveshjeje vetëm për këtë qark, duke e përjashtuar nga kriza politike në tërësi.

Ashtu sikurse dhe ishte paralajmëruar, ndonëse me mjaft tension, Këshilli u konstituua. Madje u zgjodhën edhe tre nënkryetarë të Bashkisë, por asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë ligjore të zëvendësojë Voltana Ademin.

Pikërisht për këtë arsye, Prefekti i Shkodrës Çesk Millja i është drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për një vendimmarrje që i kalon kufijtë ligjorë të një lokaliteti, qoftë edhe qendër qarku, si Shkodra.

Nuk është e përcaktuar as në legjislacion sesa është koha që duhet të marrë vendim Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, çka do të thotë se mbetet në fuqi vetëm neni 4, që sqaron se mandati i kryetarit aktual të Bashkisë mbaron kur bëhet betimi i kryetarit të ri.

Kësisoj, topi tashmë është në fushën e KQZ, ku “lojtarët-anëtarë” të tij, duke përjashtuar kapitenin Klement Zguri, që nuk ka qenë dakord me asnjë vendim të deritanishëm të shumicës së këtij institucioni, do të duhet të votojnë sesi do të veprohet me Shkodrën. Dhe se kush ka të drejtë të drejtojë Bashkinë një nënkryetar aktual, apo një nga të zgjedhurit e rinj, që janë tre, sipas votimit që u bë për ta nga anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak.

Por si dhe kur do të bëhet?! Askush nuk jep përgjigje. Nga KQZ ende nuk ka një prononcim për këtë çështje.
Shtuar më 19/08/2019, ora 18:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori