Shkodra pa kryebashkiak, ish-deputeti propozon zgjidhjen
Dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga marrja e kreut të bashkisë së Shkodrës, pas publikimit të dokumentave nga Partia Demokratike se ka qenë e i dënuar në vitin 2003 për trafik droge, ka krijuar një ngërç të ri politik.

Megjithatë Partia Socialiste ka vendosur që ditën e hënë të zhvillojë konstituimin e këshillit bashkiak të Shkodrës, ndërkohë që PD deklaron se do të tentojë që të bllokojë procesin.

Ndërsa ish-deputeti i PD Bardh Spahia me anë të një statusi në “Facebook” iu bën thirrje socialistëve, antidemokratëve dhe të gjithë qytetarëve që të bëhen bashkë për Shkodrën.

Spahia shprehet se të gjithë socialistë e demokratë duhet të jenë sot kundër krimit në politikë, kundër krimit për të marrë Shkodrën dhe pro një qyteti që e do traditën dhe kulturën.

Postimi i plotë

TE BEHEMI BASHKE PER SHKODREN

Thirrja ime qytetare u drejtohet së pari ju socialistëve, antidemokratë, apo quajeni veten si të dëshironi.

Mos u bëni palë me krimin kundër qytetit tonë të përbashkët!

Mos u bëni palë me të keqen kundër të tashmes e të ardhmes tonë e të fëmijëve tanë!

Mos u bëni mbështetje për kë është marrosur, e nuk di c’bën!

Unë njoh shumë nga socialistët apo “antidemokratët” e ndershëm të qytetit tonë të përbashkët. Të gjithë ne i kemi shpesh komshij, në lagjet e rrugicat tona, e gjithmonë mbaj mend, se njëlloj reagonim bashkë kundër hajdutëve, krimit e kriminelëve, kundër të keqes në cdo formë të saj, sa herë ka tentuar të prekë “shtëpitë” tona.

E pra ky qytet dhe ky vend është yni, i njerëzve të ndershëm e punëtorë, me bindje pro njërit apo kundër tjetrit, por s’mund t’ia lemë në dorë krimit, as të qytetit tonë, e as atyre, që përmes krimit, në qytetin tonë e në mbarë Shqipërinë, duan me cdo kusht, të zgjasin pushtetin e të shtojnë pasurinë e tyre.

Prandaj, të dashur bashkëqytetarë, të qytetit tonë të mrekullueshëm, le të bëhemi bashkë, për t’i dalë zot vendit ku jemi rritur, e ku kemi kujtimet më të bukura! Le të bëhemi të gjithë bashkë kundër të keqes, që sot s’ka më asnjë ngjyrë politike. Nuk është më as rozë, as mavi, por thjesht e zezë, që i vërtitet vendit tonë për t’i marrë frymën, për t’i thithur gjakun, e cdo të mirë e burim jetësor. Sot nuk bëhet më fjalë për politikë, për shkëmbim a përplasje idesh. Sot është dita e koha, t’i dalim zot qytetit dhe vendit tonë, e të mos ia lemë të ardhmen e fëmijëve tanë, në dorë të krimit.

Socialistët e ndershëm nuk kanë lidhje me krimin dhe nuk duhet të pranojnë të bëhen fasada e tij. Duhet të ulërasin me forcë për dinjitetin e nëpërkëmbur, e të mos pranojnë t’u mbyllet goja nga përfaqesuesit politikë të krimit. Krimi është minorancë shumë e vogël. Ata janë pak, shumë pak.

Bashkëqytetarët tanë e thanë fjalën e tyre, duke u distancuar, e duke e braktisur modelin e krimit, në më pak se 5% edhe pse të kërcënuar e të detyruar, respektoni vullnetin e tyre, nëse doni të keni vlerësimin e tyre. Kush nuk e kupton këtë raport bazik, vec sa e thellon hendekun, me një shoqëri e një qytet të tërë.

Ne qytetarët e Shkodrës së traditës, demokracisë e qendresës, artit dhe kulturës jemi shumë më shumë, e qytetin tonë, nuk do ia leshojmë kurrë krimit dhe përfaqësuesve politikë të tij! Eshtë një sprovë ku secili duhet të reflektojë mbi pozicionin e vet! Koha për të zgjedhur pozicionimin mes të drejtës a të keqes është tani! Nesër do jetë vonë.
Shtuar më 17/08/2019, ora 19:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori