Pacolli: S’kam për qëllim të kandidohem për president

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se ende është herët të flitet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Në një intervistë për klankosova.tv për këtë temë që është aktualizuar së fundmi, ai ka theksuar së nuk mëton shpalljen e kandidaturës për Zyrën e Presidentit.

“Unë nuk kam shpallur asnjë kandidaturë për pozitën e Presidentit të Republikës dhe asnjë nga komentet e bëra nuk janë bërë nga unë”, është shprehur Pacolli.

“Nuk kam bërë ndonjë njoftim apo qëllim për kandidaturën Presidenciale, nuk është koha të flasim për çështje të tilla dhe të gjitha partitë politike duhet të kenë një dialog për zgjedhjen e Presidentit.

Për të në këtë fazë më me rëndësi janë temat tjera si përballja me pandeminë, rimëkëmbja ekonomike dhe dialogu me Serbinë.

“Aktualisht kemi një President që po bën punën e tij dhe nuk i bëjmë nder vendit dhe as institucionit të Presidentit nëse fillojmë tani të flasim për zgjedhjen e Presidentit, kur kemi mjaft kohë dhe duhet të punojmë në çështje të ngutshme si pandemia, dialogu me Serbinë ose situata ekonomike. Le të punojmë në këto çështje dhe kur të vijë koha le të ndërtojmë konsensus përmes një dialogu shumëpartiakë”.

Deri kur t’i skadojë mandati Hashim Thaçit në shkurtin e 2021-ës, sipas Pacollit duhet pritur të gjithë tok.

“Le të presim kohën të vijë për të zgjedhur Presidentin dhe të gjitha partitë politike përmes dialogut të adresojnë këtë çështje, duke mos shikuar interesat personale dhe grupore, por interesat e Kosovës në këto kohë të vështira dhe sfiduese për vendin”.

Pas njoftimit nga këshilltari juaj Naim Murseli se AKR u ka dhënë besimin për t’i hyrë garës për President reaguat, duke thënë se diçka e tillë “është dëshirë por jo edhe realitet”. Pse jo realitet, kur ju tashmë një herë keni drejtuar Zyrën e Presidentit të Kosovës?

Behgjet Pacolli: Unë nuk kam shpallur asnjë kandidaturë për pozitën e Presidentit të Republikës dhe asnjë nga komentet e bëra nuk janë bërë nga unë. Unë mendoj se Kosova ka një President që ka kompetenca dhe mandat të plotë kushtetues dhe për sa kohë nuk ka ardhur koha për zgjedhjen e Presidentit – gjë që do t’i bënte partitë parlamentare të ulen së bashku dhe përmes dialogut dhe konsensusit të arrijnë një marrëveshje për Presidentin e ardhshëm – unë nuk mendoj se është realitet të bëhen njoftime për kandidatët presidencialë.

A s’do ta bëni dëshirën realitet?

Behgjet Pacolli: Realiteti vjen kur vjen koha për të folur për këtë çështje dhe kur të gjitha partitë politike kanë një dialog për Presidentin. Është ende herët për këtë.

Por strukturat e partisë u kanë dhënë besimin. A do ta përfillni vullnetin e partisë, apo jo?

Behgjet Pacolli: Siç thashë, unë nuk kam bërë ndonjë njoftim apo qëllim për kandidaturën Presidenciale, nuk është koha të flasim për çështje të tilla dhe të gjitha partitë politike duhet të kenë një dialog për zgjedhjen e presidentit.

Këshilli Drejtues i AAK-së tashmë i ka dhënë besimin Ramush Haradinajt për të garuar për President. Ç’mendim keni për këtë?

Behgjet Pacolli: Ramush Haradinaj është një mik i vjetër dhe unë kam punuar me të në qeveri. Ai është një person i përkushtuar ndaj vendit dhe ai së bashku me familjen e tij i kanë dhënë shumë Kosovës. Siç e thashë, unë mendoj se ne të gjithë në politikën e Kosovës duhet të presim kohën kur do të vijë për të diskutuar përmes dialogut zgjedhjen e Presidentit.

Pse insistoni në pritjen e deriatëhershme?

Behgjet Pacolli: Aktualisht kemi një President që po bën punën e tij dhe nuk i bëjmë nder vendit dhe as institucionit të Presidentit nëse fillojmë tani të flasim për zgjedhjen e Presidentit, kur kemi mjaft kohë dhe duhet të punojmë në çështje të ngutshme si pandemia, dialogu me Serbinë ose situata ekonomike. Le të punojmë në këto çështje dhe kur të vijë koha le të ndërtojmë konsensus përmes një dialogu shumë-partiak.

Partia juaj ka vetëm dy deputetë në këtë legjislaturë. Në rastet e mëhershme kemi qenë dëshmitarë kur edhe më pak deputetë keni marrë tejet pushtet në Qeveri. A ka gjasë që zgjedhja e presidentit të ri “të kalojë nëpër dorën tuaj” dhe a mund të thuhet se këtu është qëllimi juaj?

Behgjet Pacolli: Që nga hyrja në politikën e Kosovës, unë kam luajtur një rol konstruktiv për të siguruar që Kosova të ketë një qeveri funksionale. Që nga viti 2008 kam mbështetur çdo qeveri sepse besoj se Kosovës i duhet stabilitet politik dhe ekonomik për të ecur me reformat e duhura. AKR do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në skenën politike të Kosovës, duke punuar me të gjitha partitë parlamentare dhe duke kërkuar konsensus për çështjet kryesore kombëtare dhe shtetërore.

Në të kaluarën keni thënë se ju jeni që presidenti të zgjedhet me votë direkte nga populli. Ligjet e Kosovës nuk e mundësojnë këtë…

Behgjet Pacolli: Unë ende besoj se alternativa më e mirë për të siguruar stabilitetin politik dhe institucional në Kosovë është që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli i Kosovës. Kjo do t’u jepte qytetarëve mundësinë për të pasur fjalën kyçe në zgjedhjen e Presidentit dhe jo që ky pozicion i rëndësishëm në sistemin tonë politik të vjen si rezultat i negociatave mes partive politike. Në të njëjtën kohë, kompetencat e Presidentit të Kosovës janë më të larta se shumica në vendet e rajonit, kështu që legjitimiteti që vjen nga populli do të forconte aftësinë e Presidentit për të vepruar për çështje në të cilat shpesh skena politike nuk është në gjendje të veprojë.

A ndodh të keni mbështetje nga dikush prej shteteve perëndimore që përsëri të jeni President i Kosovës?

Behgjet Pacolli: Në kohën time si President i Kosovës, dhe pastaj në pozicione të ndryshme në qeveri dhe biznes, gjithmonë i kam kushtuar vëmendje të madhe miqve dhe partnerëve të Kosovës dhe kam punuar me ta nga afër për të arritur qëllimet e Kosovës për të qenë një anëtar i plotë dhe i barabartë i bashkësia ndërkombëtare. Unë besoj në partneritet dhe dialog me miqtë tanë dhe gjithashtu me të gjithë palët e interesuara brenda Kosovës. Kjo është ajo që bëra në kohën time si President, Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.

Sa mund t’i duheshit ju Kosovës si president përsëri?

Behgjet Pacolli: Kosova ka nevojë për të gjithë, çdo qytetar ka një rol për të luajtur. Ne jemi në periudha jashtëzakonisht të vështira për Kosovën dhe Botën. Ne kemi nevojë për të punuar me profesionalizëm dhe angazhim për të adresuar pandeminë, për të përballuar ndikimin ekonomik dhe social që ka krijuar në Kosovë dhe pastaj të forcojmë sistemin tonë shëndetësor. Këto janë sfida bashkëkohore jo vetëm për Kosovën por për tërë botën tani. Kjo kërkon punë dhe konsensus midis të gjithëve. Tani si Kosovë kemi sfida më specifike, të punojmë me aleatët tanë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë si dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe pastaj sfidat me të cilat do të përballet vendi me Gjykatën Speciale, ajo është diçka që kërkon që skena politike të lërë mënjanë egot dhe interesat personale dhe grupore dhe të shohë interesat shtetërore dhe kombëtare me përparësi përmes konsensusit dhe dialogut. Të gjithë mund të luajnë një rol këtu.

Nëse ju jo, kush besoni se do të ishte politikani kosovar që do të duhej të vinte në pozitën e kreut të shtetit?

Behgjet Pacolli: Le të presim kohën të vijë për të zgjedhur Presidentin dhe të gjitha partitë politike përmes dialogut të adresojnë këtë çështje, duke mos shikuar interesat personale dhe grupore, por interesat e Kosovës në këto kohë të vështira dhe sfiduese për vendin.


Shtuar 24.08.2020 09:17