Shkembimi i territoreve, BE: Rrezik per gjithe Ballkanin
Albeu.com
Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian bën thirrje se hipoteza të hedhura nga ademikë për shkëmbime territoresh janë si Kutia e Pandorës që do të sillte një zinxhir fatkeqësish në Ballkan.Deklarata u bë nga zëvendësshefi i Departamentit suedez për BE-në, Lars Wahlund në një intervistë për BBC që theksoi se BE do ta kishte të vështirë ta kundërshtonte këtë nëse dy vendet përkatëse bien dakort. Ai u shpreh gjithashtu se nuk shpreson që Suedia, gjatë udhëheqjes së saj gjashtëmuajshe të BE-së, të arrijë një konsensus evropian për statusin e Kosovës, gjë që e lë këtë vend ende larg liberalizimit të vizave.

Rreth pyetjes për deklaratat e bëra se fundmi për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë , konkretisht per jugun e Serbisë dhe veriun e Kosovës, Wahlund u shpreh se kjo gjë është e rrezikshme, por nëse të dyja qeveritë pajtohen, BE do ta ketë të vështirë të vihet kundër kësaj.
“Nëse të dyja qeveritë pajtohen, është e vështirë të jemi kundër. Por qëndrimi ynë është se nëse fillon shkëmbimi i territoreve në Ballkan atëherë jemi në një terren të rrëshqitshëm, e kemi hapur Kutinë e Pandorës. Kjo mendoj se do të ishte fatkeqe. Idetë për shkëmbim territoresh, e kjo nuk është hera e parë që dëgjoj për këtë e më së shpeshti akademikë po evokojnë zgjidhje të tilla, mendoj se janë shumë të rrezikshme”.
Sipas Wahlund kjo do të niste një zinxhir të zhvillimeve në Ballkan që do të ishin shumë fatkeqe. “Ne do të ishim kundër kësaj. Ne i përmbahemi tërësisë tokësore për vendet në Ballkan dhe kjo i referohet edhe Bosnje Hercegovinës, edhe ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë edhe Kosovës. Nuk do të zgjidhen problemet e pakicave në Ballkan duke shkëmbyer territore, sepse dikush tjetër atëherë do të bëhet pakicë”.

I fokusuar më pas në shtetin e ri, zoti Wahlund u shpreh gjithashtu se Kosova duhet të ketë një politikë më aktive në vendet evropiane që nuk e kanë pranuar, për të arritur mbështetjen për çështjen e saj.

Ai tha se nuk shpreson që Suedia, gjatë udhëheqjes së saj gjashtëmuajshe të BE-së, të arrijë një konsensus evropian për statusin e Kosovës, dhe kjo, sipas tij, është arsyeja se pse BE-ja nuk mund t'i ofrojë Kosovës të njëjtën "hartë të rrugës", edhe në procesin e lehtësimit të vizave, sikurse vendeve të tjera të Ballkanit.

Sipas tij, bashkëpunimi i Serbisë me EULEX-in është pjesë e procesit të liberalizimit të vizave për këtë vend, por vlerësoi se Kosova nuk është një kusht në këtë proces.

Deklaratat shpërthyen mënjehërë pasi anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dana Rohrabaher, ka thënë se zgjidhja e vetme funksionale për stabilizimin e rajonit të Ballkanit do të ishte një shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë. (news24)
Shtuar më 06/08/2009, ora 20:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori