Shkelën rregullat e qëndrimit në BE, riatdhesohen 114 shqiptarë
Policia Kufitare vijon operacionet e përbashkëta të riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të cilët kërkojnë azil apo nuk respektojnë rregullat e qëndrimit në hapësirën SCHENGEN.

Riatdhesohen 114 shtetas shqiptarë të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit.

Në kuadër të fluturimeve të përbashkëta organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex dhe me pjesëmarrjen e Belgjikës, Gjermanisë e vendeve të tjera të BE-së, si dhe me mbështetjen e eskortës Shqiptare në Aeroportin e Rinasit mbërriti një charter nga Franca, i eskortuar nga Policia Shqiptare me 33 shtetas shqiptar, nga të cilët 28 shtetas të deportuar nga Franca dhe 5 shtetas nga Belgjika.

Po në këtë kuadër nga disa vende të BE-së, u riatdhesuan edhe 81 shtetas të tjerë shqiptarë të cilët kishin thyer rregullat e qëndrimit në hapësirën SCHENGEN, disa prej tyre kishin tentuar për të hyrë ilegal në Angli, si dhe një pjesë që kishin përfunduar dënimin në një nga vendet e BE-së.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.


Shtuar më 26/10/2019, ora 15:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori