Tragjedia në Greqi, në të njëjtën ditë mjeshtri i stacionit dyshohet se drejtoi në linjën e gabuar një tren tjetër

Mediet greke kanë zbardhur informacione të reja për rrethanat në të cilat ndodhi tragjedia në Tempi.

Sipas informacioneve nga SKAI, 59-vjeçari mjeshtër i stacionit, pak orë para përplasjes së dy trenave, dyshohet se drejtoi një tren lokal, trenin periferik të Larisës, në shina të gabuara.

Konkretisht, kur treni periferik plot me pasagjerë mbërriti në pikën Psalidi – Paliofarsalo, mjeshtri i stacionit ktheu çelësin, duke bërë që treni të shkonte në linjën e gabuar.

Sipas të njëjtave informacione, makinisti i trenit periferik e ka kuptuar dhe ka vënë në dukje gabimin, teksa ka kthyer trenin mbrapsht, për tu rikthyer në linjën e duhur.

Bëhet e ditur se në vendin e tragjedisë është gjetur edhe regjistruesi i njërit prej dy trenave, pa u sqaruar aktualisht se cilit tren i përket.

Në fokus të hetimeve të autoriteteve janë edhe bisedat mes drejtuesit të trenit Intercity dhe mjeshtrit të stacionit të Larisës.

Shefi i stacionit, sipas avokatit të tij, ka marrë përgjegjësinë, në kontekstin që i takon, ndërsa foli për një gabim fatal të cilin ia atribuoi momentit të keq.

Edhe pse fillimisht ai pretendoi se aksidenti ishte për shkak të një gabimi të sistemit, duke thënë se e kuptoi kur u informua për atë që kishte ndodhur, ai në fund pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në shina të gabuara./Albeu.com/