Shkarkohet Sheremet Ahmeti?
Albeu.com
Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë vendim për shkarkimin e Sheremet Ahmetit nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, thonë burime të sigurta nga Kryeministria.
Por zyrtarisht për vendimin, ende nuk janë njoftuar as Ahmeti, as ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
Sipas Expressit, që mbështetet në burme të mirinformuara, brenda Zyrës së Kryeministrit thanë se vendimi tashmë është marrë, dhe se ai do të bëhet publik përnjëherë me ndërrimet në kabinetin qeveritar.
“Kryeministri nuk është takuar me Ahmetin, sepse nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Kushtetuta ia mundëson kryeministrit të bëjë emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, tha një zyrtar i lartë, në kushte anonimiteti.
Vetë Ahmeti thotë se është duke e kryer punën e tij normalisht dhe se deri më tash nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar. “As nuk kam nevojë të komentoj diçka të tillë, e bile as të mendoj. Unë jam i gatshëm për çfarëdo vendimi. Por nuk ka asgjë. Mua askush nuk ma ka informuar dhe derisa është kështu, unë vazhdoj detyrën time”, tha Ahmeti, për Express.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, për punën që bënë i jep llogari ministrit të Punëve të Brendshme, në këtë rast Zenun Pajazitit, për të cilin gjithashtu spekulohet e do të shkarkohet nga kjo detyrë.
Por as ministri Pajaziti, nuk ka ndonjë informacion zyrtar as për vete, e as për Ahmetin. “Nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë çështje”, tha shkurt ministri Pajaziti.
Derisa për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës janë dashur disa muaj, të shpallet konkursi, të intervistohen kandidatët, t’i dërgohen nga ministri i Punëve të Brendshme disa emra kryeministrit dhe ky i fundit të vendosë, për shkarkimin e tij mjafton firma e kreut të Qeverisë.
Në kohën kur drejtor ishte zgjedhur Sheremet Ahmeti, në listën e ngushtë për këtë detyrë, ishin Behar Selimi dhe Kadri Arifi. Ata konsiderohen edhe kandidatpt më seriozë për ta zënë vendin e Ahmetit. “Ka shumë mundësi që kryeministri të përshpejtojë emërimin dhe të mos shpallet fare konkurs”, thotë një zyrtar i lartë i policisë. (express)
Shtuar më 31/03/2010, ora 04:03
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori