Regjisori: Do të kallëzohen penalisht anëtarët e Këshillit Bashkiak që votojnë shembjen e Teatrit

Regjisori Kastriot Çipi në një shkrim në rrjetet sociale ka paralajmëruar se nëse Këshilli Bashkiak voton shembjen e Teatrit Kombëtar të gjithë anëtarët e tij duhet të kallëzohen PENALISHT, sipas Kodit Penal, Neni 160 “Shkatërrimi i veprave kulturore”.

Çipi shkruan se Bashkia Tiranë nuk ka tagër të vendosë për shembjen e objekteve në pronësi të Ministrisë së Kulturës.

Po ashtu Çipi bën thirrje juristëve që të ndihmojnë në kallëzimin e penal dhe padisë në Gjykatën Administrative, në emër të fondacionit për Mbrojtjen e Teatrit.

“Bashkia Tiranë nuk është pronare e ndërtesave të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. VKM nr.377, datë 8.5.2020 i ka kaluar Bashkisë Tiranë në pronësi TRUALLIN, por jo NDËRTESAT. Si pasojë, Bashkia Tiranë nuk ka tagër të vendosë për shembjen e objekteve në pronësi të Ministrisë së Kulturës.

Së dyti, dy teatrot nuk mund të shemben pa një akt ekspertimi që provon RREZIKSHMERINE e tyre. Raporti i Institutit të Ndërtimit datë 23.3.2018 trajton VETËM Teatrin Kombëtar dhe jo Teatrin Kombëtar Eksperimental. Gjithsesi, ai raport në asnjë rresht të tij NUK FLET për “rrezikshmëri për shembje”.

Nëse Këshilli Bashkiak voton për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental nesër, të gjithë anëtarët e tij duhet të kallëzohen PENALISHT, sipas Kodit Penal, Neni 160 “Shkatërrimi i veprave kulturore”, i cili sanksionon se:

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i veprave kulturore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Kur nga vepra penale janë shkatërruar apo dëmtuar vepra kulturore me rëndësi kombëtare, dënohet me gjobë ose me burgim nga dy gjer në tetë vjet.

I bëj thirrje Presidentit Meta dhe Kryetarit të PD Basha të veprojnë pa humbur kohë!

U BEJ THIRRJE JURISTËVE DASHAMIRËS TË KAUZËS PËR MBROJTJEN E TEATRIT, TË MË NDIHMOJNË ME FORMULIMIN E KALLËZIMIT PENAL DHE PADISË NË GJYKATËN ADMINISTRATIVE, NË EMËR TË FONDACIONIT PËR MBROJTJEN E TEATRIT.”- shkruan Çipi.


Shtuar 15.05.2020 08:59