Shkarkimi i diplomates në Zvicër, Gjykata në krah të qeverisë
Pëlqej
Konflikti mes ambasadores sonë në Gjenevë, Filloreta Kodra, dhe diplomates Blerina Zoto ka përfunduar në Gjykatën Administrative.
Këshilltarja në misionin diplomatik pranë OKB-së në Gjenevë, Blerina Zoto, e cila u shkarkua nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, më 13.06.2016, iu drejtua Gjykatës Administrative në Tiranë, ku kërkonte pavlefshmërinë e urdhrit të shkarkimit të saj dhe vijimin e zbatimit të marrëveshjes mes kësaj ministrie dhe Ministrisë së Jashtme.

Gjykata Administrative ka vendosur të lërë në fuqi urdhrin e shkarkimit të ministrit Klosi dhe Bushati, por edhe detyrimin që diplomatja Zoto të marrë të gjitha pagat e prapambetura.

“Marrëdhënia e paditëses Blerina Zoto me palët e paditura ka qenë një marrëdhënie e posaçme shërbimi, që në thelb gjen rregullim nga Kodi i Punës, e në këtë kuadër paditësja gëzon legjitimitet për t’iu drejtuar gjykatës vetëm me kërkimet për dëmshpërblimet përkatëse që burojnë nga Kodi i Punës dhe jo për të kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, apo detyrimin e palëve të paditura për të vazhduar zbatimin e kontratës administrative të lidhur midis tyre në kuadër të një projekti të caktuar, që janë akte në vullnetin e lirë të punëdhënësit dhe nuk mund të kundërshtohen nga punëmarrësi përmes rrugës gjyqësore”, thuhet në vendimin e gjyqtarit administrativ, Erarbër Madhi.

Vendimi është zbardhur 3 muaj me vonesë, kur procesi gjyqësor është zhvilluar më 1 shtator 2016. Blerina Zoto tha dje për gazetën "Panorama" se ka depozituar pranë Gjykatës së Apelit Administrativ kërkesën kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Zoto ndodhet aktualisht në Gjenevë pranë dy fëmijëve të saj, edhe pse marrëdhënia me misionin tonë të përhershëm është ndërprerë që më 30 korrik.

Ajo rezulton të jetë me raport mjekësor që nga data 1 qershor i këtij viti, kohë kur ka nisur dhe konflikti me ambasadoren në Gjenevë, Filloreta Kodra. Diplomatja Zoto mbart statusin e nëpunësit civil në mënyrë të pandërprerë dhe si diplomate e huazuar nga MMSR në MPJ, me detyrën e këshilltares për të Drejtat e Njeriut pranë misionit të Shqipërisë në OKB vazhdon dhe gëzon të njëjtin status, për rrjedhojë nuk mund të prishë asnjë kontratë me MPJ, apo anasjelltas, siç thuhet në vendimin e gjykatës. /albeu.com/

Shtuar më 21/12/2016, ora 09:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori