A e ka humbur durimin BE me negociatat Kosovë-Serbi?

Nga Cameron Macbride “Eu Observer

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pas një takimi të tensionuar muajin e kaluar në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian ishte në gjendje të shpallte dakordësinë mbi atë që e quajti “aneksin e zbatimit” të marrëveshjes më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy kundërshtarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse relativisht i thjeshtë në përmbajtje, aneksi mund të përfaqësojë hapat e parë që Serbia dhe Kosova të punojnë më në fund së bashku në mënyrë më konstruktive, gjithnjë nëse zbatohet realisht. Megjithatë deri më tani, të dyja palët kanë treguar pak oreks për ta bërë këtë.

Thuajse menjëherë pas përfundimit të takimit me përfaqësuesin e BE-së Josep Borrell, të dyja palët filluan të tërhiqen nga një sërë premtimesh. Nëse BE-ja nuk mund t’i bëjë dot bashkë sipas qasjes së saj aktuale, ajo duhet të marrë seriozisht në konsideratë modifikimin e marrëdhënieve të saj me vendet e Ballkanit, edhe nëse kjo do të kërkonte rishqyrtimin e perspektivave aktuale të anëtarësimit të Beogradit dhe Prishtinës.

Tashmë presidenti serb Aleksandar Vucic ka zgjedhur t’ia kthejë shpinën marrëveshjes së propozuar, duke deklaruar për mediat vendase pas takimit se nuk do të nënshkruajë asgjë, dhe duke shtuar se një veprim i tillë do të ishte një njohje de-fakto e Kosovës.

Për më tepër, edhe pse ai ka premtuar se do ta zbatojë të gjithë marrëveshjen, deri më tani ai ka zgjedhur ta përqendrojë energjinë e tij në diskutimin e neneve, nga të cilat përfiton më shumë Serbia, si dhe duke kërkuar që Kosova të themelojë më në fund Asociacionin e Komunave Serbe të propozuar prej kohësh.

Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që Vucic zgjedh një qasje të tillë. Por duhet të jetë e fundit. Tërheqja e tij e vazhdueshme nga marrëveshjet e mëparshme dhe mosgatishmëria për të gjetur një rrugë të mesme për një zgjidhje përfundimtare, teksa gëzon përfitime të mëdha ekonomike nga BE-ja, duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Por presidenti serb nuk është i vetëm në këtë përpjekje. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar më shumë gatishmëri për të nënshkruar, dhe për t’i qëndruar më pranë marrëveshjes, mosgatishmëria e tij për të kërkuar një kompromis për çështjen e një asociacioni politik me bazë komunat serbe në vendin e tij do të vazhdojë të frenojë çdo negociatë të mëtejshme.

Një veprim i tillë është i pamatur, sidomos kur Kosova ka një shans real për të nxjerrë në pah reformat e saj kryesore në rajon dhe qasjen e saj entuziaste pro-BE. Prishtina duhet të jetë e prirur të tregojë se është e hapur ndaj një zgjidhjeje të qëndrueshme, me premtimin se nga ana tjetër Brukseli do të jetë i hapur për të përshpejtuar rrugën e saj drejt anëtarësimit.

Që nga viti 2011, kur u nënshkrua Marrëveshja fillestare e Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, progresi ka qenë shumë i ngadaltë, për të mos thënë inekzistent. Çdo përpjekje për pajtim nga BE-ja përmes kanaleve të rregullta të negociatave ka sjellë shpërdorimin e fondet të zhvillimit, orë të shpenzuara kot në marrëveshje që më pas shkelen apo që kanë rezultate të dobëta dhe një besim shumë të dobët midis tre palëve.

Por më në fund duket se Brukseli është tashmë gati të ndryshojë qasje. Meqenëse pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor po shfaqet e vendosur të ecë përpara në negociatat e anëtarësimit në vitet e ardhshme, nuk ka asnjë arsye pse Serbia dhe Kosova nuk mund të vazhdojnë me negociatat e tyre.

Megjithatë, nëse do të vazhdojë cikli aktual, siç duket se është e mundshme, me të dyja palët që dështojnë të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e re, atëherë në tryezë duhet të jetë plani për një rishikim të gjithë strategjisë së BE-së.

Së pari, duhet të ketë një marrëveshje politike. Brukseli ka deklaruar herë pas here se anëtarësimi në BE nuk është i mundur për të dyja vendet, pa pasur një formë të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Unioni mund të tregojë saktësisht se sa seriozisht është i gatshëm ta zbatojë këtë kërcënim, duke shqyrtuar ndërprerjen e përkohshme të të gjitha negociatave aktuale ose të mundshme të anëtarësimit me të dy vendet, derisa të vendoset cilat do të jenë hapat e mëtejshme.

Nuk ka asnjë dyshim se me ose apo pa marrëdhëniet e normalizuara Serbia dhe Kosova janë ende shumë vite larg anëtarësimit në BE. Prandaj, Brukseli mund ta përdorë këtë moment për t’u treguar të dy vendeve se kanë përpara ende shumë punë, dhe se kjo ecuri e dobët e negociatave Prishtinë-Beograd do të pengojë të gjitha aspektet e tjera të procesit, derisa të dyja vendet të nisin të kenë një përparim të vërtetë.

Duket se të dyja vendet janë ende në një trajektore pro-BE, gjithmonë nëse ekziston vullneti politik për këtë. Por Brukseli duhet të jetë i gatshëm t’u tregojë se anëtarësimi nuk është një e drejtë që u jepet të gjithëve. Përkundrazi, ai fitohet përmes realizimit të reformave të thella, shpeshherë të vështira, por me qëllime të mira.

Për më tepër, Brukseli duhet të ristrukturojë seriozisht qasjen e tij financiare. Hedhja e parave në Ballkanin Perëndimor me shpresën e nxitjes së diskutimeve dhe nxitjes së reformave, me shumë pak arritje për të treguar përveç forumeve rajonale të rastësishme, nuk do të mjaftojë më.

Nevojiten ndryshime reale që të përafrojnë stimujt financiarë me zhvillimin kuptimplotë. Prandaj BE-ja duhet të shohë me prioritet krijimin e mekanizmave më të zgjeruar që të lidhin së bashku reformat strukturore, por edhe përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me fondet e zhvillimit rajonal.

Një ndryshim i tillë në qasje, do t’i dërgonte një mesazh të fortë jo vetëm Ballkanit, por çdo vendit që kërkon të anëtarësohet në union se kanë ikur njëherë e mirë ditët e flukseve të pafundme të parave që dërgohen në kryeqytetet kombëtare, në këmbim të asnjë lloj zhvillimi pozitiv atje.

Shqetësimi në këtë rast, do të ishte se një hap kaq i rëndësishëm mbrapa do t’i jepte mundësi aktorëve të tjerë, përkatësisht Rusisë, Kinës ose Turqisë, të rrisin më tej lidhjet e tyre ekonomike me rajonin. Ky është një rrezik që BE-ja duhet të jetë e gatshme që ta marrë.

Si Serbia po ashtu edhe Kosova, por edhe vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, duhet ta kuptojnë se dhënia e fondeve serioze duhet të sjellë ndryshimin e vërtetë. Me qasjen aktuale, Brukseli ka humbur orë dhe fonde të panumërta, duke mos pasur ndonjë të madhe për ta treguar si sukses.

Ka ende kohë dhe hapësirë për të gjetur një marrëveshje, e cila më në fund do ta sillte Serbinë dhe Kosovën në familjen evropiane. Armiku më i madh i normalizimit të raporteve midis tyre janë vetë Beogradit dhe Prishtina. Ka ardhur koha që BE-ja t’ua vërë pasqyrën përpara për t’ua treguar atyre këtë gjë. /albeu.com

Shënim:Cameron MacBride, studiues skocez në Qendrën Kërkimore të Post-Konflikteve me seli në Sarajevë, Bosnje Hercgovinë.


Shtuar 5.04.2023 15:30

Tags: