Shisnin ujë me fatura false, sekuestrohet punishtja
Inspektorë Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës kanë sekuestruar gjatë ditës së sotme një punishte e cila merrej me prodhimin, amballazhimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm në bidona 20 litrosh, pasi nuk plotësonte kushtet për prodhim dhe shitje.

Sipas një deklaratë të zëdhënëses së këtij organi, ky aktivitet ushtrohej në ambjentet e një minipunishteje, e ndodhur në rrugën “Myslym Keta” në bodrumin e një banese në mënyrë të paligjshme. Kjo punishte sipas policisë nuk plotësonte asnjë standart dhe kusht për prodhimin, amballazhim dhe tregëtimin e ujit të pijshëm.

Policia bëri të ditur se do të ndiqej penalisht Mirel Shaqir Muzhika, 26 vjeç, adminitrator i subjektit “Alo Uji”, i cili përdorte fatura tatimore të fallsifikuara, të cilat u a jepte subjekteve në momentin e shitjes së ujit. Njëkohësisht, aktiviteti i tij figuron i paregjistruar dhe i pa deklaruar në organet tatimore.

Nga hetimet e kryera rezulton se, ky aktivitet i paligjshëm, përfitohej shuma e parave prej 30.000 lekë të rinj, në një ditë, aktivitet i cili shtrihej dhe tregohej në një sërë subjektesh apo banesa në Kryeqytet.

Në përfundim të deklaratës për mediat zëdhënësja e Policisë u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në blerjen e ujit të pijshëm dhe konsumim e tij pa dëmtuar shëndetin dhe jo në blerjen e ujit të paliçensuar./albeu.com/
Shtuar më 03/11/2011, ora 13:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori