Sot Kurban Bajrami, kreu i KMSH: Lutemi që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin

Besimtarët myslimanë kanë falur sot Kurban Bajramin. Besimtarët janë falur për mirësi, shëndet dhe fat për familjen e tyre.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët që festojnë sot Kurban Bajramin. Gjatë fjalës së tij në Sheshin Skënderbej ku qindra besimtarë falën namazin, kreu i KMSH tha se kjo ditë e rëndësishme duhet të shërbejë si një ditë reflektimi për të gjithë ne.

Ai tha se sot duhet të jetë dita e tolerancës dhe e faljes, teksa në fjalën e tij pati edhe një mesazh për tensionet në veri të Kosovës.

“I lutem Zotit që ky Bajram të shërbejë si reflektim i brendshëm për çdo njeri. Të bëhemi më të fortë në besim ndaj Zotit, më të dashur e solidarë me njëri-tjetrin. T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë. I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve. I lutem Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri të Kosovës. I lutem Zotit që kombi ynë të përparojë në çdo aspekt. Edhe një herë dua t’i uroj përzemërsisht gëzuar Kurban Bajramin çdo familje shqiptare. Gëzuar”,  tha Spahiu./albeu.com/


Shtuar 28.06.2023 09:01