SHIFRAT/ Sa është "paga e qelbur" e Ralfit
Ndryshe nga rraca e politikanëve të dy dekadave të para të demokracisë, një pjesë e të cilëve e kishin të shkruar në ballë se kishin hyrë në Kuvend për të vjedhur, këta rioshët e sotëm janë bërë më të rafinuar.

Jo se i ka ndryshuar qëllimi, por rreken që të thonë se janë në politikë se i thërret interesi i qytetarëve, madje edhe interesi kombëtar kur puna shkon keq dhe i duhet ndonjë justifikim i fortë për të pranuar mandatin, siç po ndodh ditët e fundit.

Në këtë kontekst ishte edhe deklarata e sotme e ish-sekretarit të Metës, Ralf Gjoni gjatë mesditës së sotme ku deklaroi se "nuk po futej në Kuvend për një pagë të qelbur deputeti", por se e thërriste interesi i vendit dhe detyra ndaj qytetarëve.

Po të dëgjosh Gjonin të dukët sikur ke të bësh me gratë që roptohen nga mëngjesi deri në mbrëmje për 22 000 lekë. Por situata nuk është aspak kështu dhe ajo paga e deputetit sëbashku me dietat, nuk është aspak e "qelbur", përkundrazi.

Albeu.com ka bërë një përllogaritje të përfitimeve mesatare që merr secili deputet duke iu referuar rregullores për trajtimin financiar të tyre.

Sa është "paga e qelbur" e Ralfit
Një deputet i Republikës së Shqipërisë trajtohet me pagë, por edhe dieta për telefonin, karburantin, pjesëmarrjet në komisione parlamentare, madhe edhe me qiranë e shtëpisë kur nuk është nga Tirana.

Një deputet merr një pagë bruto 156 770 lekë. Nga këto, secili deputet fut neto në xhep rreth 118 000 lekë pasi janë zbritur sigurimet dhe tatimi mbi të ardhurat.

Krahas kësaj, deputetët marrin 35 000-40 000 lekë në muaj subvencione për karburant në varësi të qarkut ku janë zgjedhur. Po ashtu, secili prej tyre merr çdo muaj 17 000 lekë subvencion për telefonin.

Secilit deputet që nuk është nga Tirana i paguhet edhe një qira mujore prej 35 000 lekësh të reja, ndërsa nuk mungojnë dietat e ndryshme që fillojnë nga 35 000 dhe arrijnë maksimumi 150 000 lekë në muaj. Deputetëve gjithashtu iu subvencionohen kostot e hotelit kur iu duhet që të flenë larg shtëpisë.

Nuk mbaron me kaq.

Pavarësisht se paguhen për të dhënë kontributin e tyre, deputetët marrin edhe 2 000 lekë dietë për çdo pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Krerët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve kanë pagesa të tjera ekstra.

Nga një vështrim i listës së pagave dhe përfitimeve të deputetëve për dhjetorin e vitit të shkuar, rezulton se ka deputetë që kanë përfituar një total (rrogë plus dieta) prej 500 000 deri 600 000 lekësh të reja.

Ndërkohë, mesatarisht secili prej tyre përfiton të ardhura totale nga 350 000 deri në 400 000 lekë të reja.

Sa për të treguar se sa i kushtojnë shqiptarëve deputetët, vlen të theksohet fakti se vetëm për dietat e periudhës nëntor-dhjetor 2018 janë paguar 25.5 milion lekë të reja ose rreth 200 mijë euro. /albeu.com/
Shtuar më 21/03/2019, ora 22:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori