Shifrat e dhimbshme, COVID-19 i ka marrë jetën 7 mësuesve
Ditën e djeshme viktima të Covid dje u shënuan shtatë, nga mosha 47 deri në 83- vjeçare.

Ndonëse nuk përfshihet në listën e raportuar, mësohet se një mësuese nga Fieri ishte viktima e radhës për shkak të Covid, duke e çuar në shtatë numrin e arsimtarëve që kanë humbur jetën nga virusi.

Ishte vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, që, përmes një mesazhi ngushëllues, kërkoi më shumë ndërgjegjësim për zbatimin rigoroz të protokollit anti-Covid në shkolla.

“Mësuesja e vyer Violeta nga Fieri, një prind model dhe mësuese e përkushtuar prej 40 vjetësh, la pas dhimbje të thellë për të gjithë, për familjen e saj, kolegët dhe nxënësit saj. Një hidhërim ky që duhet të na bëjë më të fortë, më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në zbatimin rigoroz të çdo mase të domosdoshme për ta luftuar këtë virus të pabesë. Ngushëllime të përzemërta për familjen dhe gjithë të njohurit e zysh Violetës!”, shkruan ministrja, e cila dy ditë më parë bëri me dije se gjashtë mësues të tjerë po marrin shërbimin spitalor dhe qindra të tjerë janë të karantinuar.

Shtuar më 14/11/2020, ora 09:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori