Shifra të frikshme nga Britania e Madhe: COVID-19 ka vrarë 936 njerëz në 24 orë
Britania e Madhe raportoi të mërkurën 936 viktima mes pacientëve me Covid-19 duke e çuar totalin në 7 172 të vdekur.

Projeksionet ngrenë alarmin se Britania mund të vuajë numrin më të lartë të viktimave në Evropë – gati 3 herë më shumë vdekje se në Itali.

Autoritetet raportuan 828 viktima në Angli, 70 në Skoci, 33 në Uells dhe 5 në Irlandën e Veriut.

Anglia mbetet me numrin më të lartë të vdekjeve, nëtotal 6 433 persona.

Të martën projeksione të modeluara nga Universiteti i Uashingtonit analizuan se deri në korrik, Britania e Madhe mund të vuajë deri në 66 000 viktima.

Për t’iu përgjigjur situatës qeveria po përpiqet të hapë një laborator të ri testesh në Universitetin e Kembrixhit, i cili pritet të ketë një kapacitet prej 30 mijë testesh në ditë, por që mund të jetë në punë vetëm pas muajit maj.

Britania e Madhe është prej 2 javësh nën masa emergjente, të diktuara nga pandemia e koronavirusit.

Sëmundja e Covid-19 mund të thuhet se u nënvlerësua nga qeveria britanike e cila mori masa kufizuese shumë më vonë se sa shtetet e tjera të Evropës.

Kryeministri Boris Johnson, i infektuar me Covid-19, është prej së hënës i shtruar në spital.
Shtuar më 08/04/2020, ora 17:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori