Serbia mohon dërgimin e armëve në Ukrainë

Serbia nuk është përfshirë në luftën në Ukrainë, tha ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, duke mohuar raportet se Beogradi po furnizon ushtrinë ukrainase me materiale lufte.

Deklarata është bërë me rastin e publikimit të një dokumenti sekret të zbuluar nga Pentagoni amerikan, i cili e rendit Serbinë në mesin e “vendeve që kanë dhënë pëlqimin e tyre për dërgimin e materialit luftarak në Ukrainë”.

Millosh Vuçeviç i përshkroi akuzat si keqdashëse.

“Të paktën dhjetë herë e kemi përgënjeshtruar, do ta bëjmë edhe një herë. Serbia nuk ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse dhe as vendeve që i rrethojnë. Disa duket se po përpiqen ta tërheqin Serbinë në këtë konflikt, por ne po rezistojmë dhe po ndjekim politikën tonë të neutralitetit”, tha ministri serb i Mbrojtjes për agjencinë e lajmeve Tanjug.

Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë që disa vende të treta të blejnë armë nga Serbia dhe më pas t’i promovojnë ato në ushtrinë ukrainase, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare.

Çështja e shitjes së municioneve serbe në Ukrainë u ngrit për herë të parë në fund të vitit 2022 kur media shtetërore ruse transmetoi video të operacioneve ushtarake ukrainase që tregonin se predhat e mortajave ishin me origjinë serbe.

Ministria serbe e Mbrojtjes dhe industria ushtarake Krusik që prodhon raketat në fjalë mohuan raportet ruse dhe pretenduan se asnjë material luftarak nuk ishte eksportuar në Ukrainë.

Më 2 mars, përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi në një konferencë për shtyp se ka informacione për përdorimin e pajisjeve ushtarake serbe nga ushtria ukrainase. Aleksandër Vuçiç e mohoi raportin gjatë një deklarate për shtyp.

Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, ndërsa ka votuar pro të gjitha rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës./Albeu.com/


Shtuar 12.04.2023 17:15