Shfaqen prindërit e Kaçifas, dalin në protestë
Mijëra grekë kanë paralajmëruar një protestë masive mesditën e kësaj të diele në sheshinSindagma’ të kryeqytetit helen. Ndërkaq pjesë e kësaj proteste do të marrë pjesë edhe familja e terroristit të vrarë grek nga policia shqiptare.

Sipas organizatorëve, kjo do të jetë protesta më e madhe e viteve të fundit në Greqi.

Nën tingujt e ‘Maqedonia që jehon’, mijëra grekë kanë filluar të mbërrijnë në sheshinSindagma’.

Ata mbajnë flamuj dhe hedhin parulla kundër ‘Marrëveshjes së Prespës’, e cila një ditë më parë u depozitua në Parlament dhe, nga e hëna do të fillojnë diskutimet që do t’i hapin rrugë aprovimit ose refuzimit të saj.

E ndërsa qeveria dhe aleatët e saj po bëjnë përllogaritjet për të gjetur votat e duhura, opozita thotë se marrëveshja nuk duhet të ratifikohet dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Protesta e së dielës do të përshëndetet prej personazheve të njohur të artit dhe muzikës greke, si dhe prej Mikis Theodhorakis, muzikanti revolucionar grek 95-vjeçar, i cili e kundërshton fort këtë marrëveshje.

Në protestë pritet të marrin pjesë protestues nga i gjithë vendi, madje për këtë qëllim janë marrë me qira më shumë se 3.000 autobusë.

Protestës do t’i bashkëngjiten edhe organizata vorioepiriote, ndërsa prindërit e Kostandinos Kacifës, i ekzekutuar më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës gjatë një përleshjeje me armë me policinë shqiprare, njoftuan se do të gjenden në sheshinSindagma’ me flamurin e të birit, të cilin e quajnë hero të helenizmit.

Në të njëjtën kohë, kur grupimet nacionaliste dhe ato të ekstremit të djathtë do të zhvillojnë protestën e tyre në ‘Sindagma’, pak metra më tutje do të jenë grupimet pro marrëveshjes, të cilët do të protestojnë gjithashtu. Kryesisht ato janë grupet anarkiste dhe komuniste, të cilat janë shprehur pro një marrëveshjeje me fqinjin verior.

Policia ka vënë në dispozicion më shumë se 2.000 policë, dronë, helikopterë dhe pompa ujëhedhëse me presion, si dhe ka bërë thirrje për protesta paqësore.
Shtuar më 20/01/2019, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori