Sheshi i Flamurit në Vlorë, kthehet në kasaphanë
Qendra e qytetit të Vlorës është kthyer në kasaphanë të gjësë së gjallë. Në një distancë jo të largët nga Bashkia dhe vetëm rreth 200 metra larg Sheshit të Flamurit, shiten bagëti të ndryshme dhe shpendë.

Në mungesë të një tregu të gjësë së gjallë nga banorët e fshatrave rreth Vlorës, ky bulevard ka marrë një pamje aspak të përshtatshme për një qytet turistik. Turistët e shumtë që duan të vizitojnë Sheshin e Flamurit duhet të kalojnë më parë mes përmes këtij tregu.

Bagëtitë dhe kaposhët e kanë zaptuar trotuarin duke shkaktuar pengesa edhe për qarkullimin e banorëve e qytetarëve të tjerë që u duhet të kalojnë si këmbësorë. Pak kohë më parë, Policia Bashkiake ndërhyri duke bërë të mundur largimin e këtij tregu për rreth tre muaj. Por, prej disa ditësh, ky treg i jashtëligjshëm është aktivizuar sërish e madje kamionët e mbushur me dele e dhi qëndrojnë gjatë të gjithë kohës në mes të qytetit të patrazuar nga askush.

Gjithashtu përveç tregtimit të gjalla jo në pak raste, tregtarët i therin anës rrugës duke ndotur vendin, e njëherazi terrorizuar kalimtarët, sidomos fëmijët.

"Kjo pamje nuk është aspak normale. Bashkia duhet të marrë masa dhe t’u gjejë një vend tjetër për t’i tregtuar. Këtu shkaktohet jo vetëm ndotje nga bagëtia, por edhe ndotje akustike. Ne që jetojmë afër nuk mund të rrimë të qetë në shtëpitë tona nga thirrjet e vazhdueshme të tregtarëve për të blerë mallin e tyre. këto kafshë që po shiten në këtë mënyrë nuk e kanë kaluar më parë as kontrollin veterinar, duke u kthyer në rrezik serioz për jetën e konsumuesve", shprehet një banore e zonës, e cila është e detyruar të kalojë përmes gjësë së gjallë për të shkuar në dyqanin më të afërt të ushqimores.

Para 10 apo më shumë vitesh, tregu i gjësë së gjallë ka qenë në zonën e fshatit Alikokë, 5 minuta larg qytetit. Por që atëherë, ky treg është mbyllur dhe nuk funksionon më. Tregtarët si nevojë të përditshme kanë zgjedhur t’i tregtojnë kafshët dhe shpendët brenda qytetit të Vlorës, në afërsi të "Sahatit të Vjetër", në një prej trotuareve kryesore të mbipopulluar me qytetarë.

Tregtarët shprehen se kanë kërkuar shumë herë ngritjen e një tregu të madh për kafshët dhe shpendët, jashtë qytetit të Vlorës. Ata theksojnë se në këtë mënyrë mund të bëhet edhe kontroll veterinar për kafshët dhe shpendët, por kërkesa e tyre në ish-komunat dhe bashkitë ka rënë në vesh të shurdhër. /albeu.com/
Shtuar më 28/03/2016, ora 08:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori