EMRI/ Lëvizte me kallashnikov, arrestohet 20-vjeçari në Librazhd

Një 20 vjeçar është arrestuar në Librazhd pasi u kap me armë zjarri.

Policia njofton se arrestimi i Stiven Faqollit, u bë i mundur pas informacioneve se ky shtetas po lëvizte në fshatin Qukës me kallashnikov.

Nga kontrolli në çantë, policia sekuestroi armën e zjarrit dhe municionin luftarak. 20 vjeçari përballet me veprën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, krehra dhe fishekë të saj.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, në vijim të kontrollit permanent të territorit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, kanë siguruar informacione se një shtetas lëvizte në fshatin Qukës, me armë zjarri me vete.

Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bushtrica”, si rezultat i të cilit, është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi S. F., 20 vjeç, banues në fshatin Qukës.

Nga kontrolli në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak për të.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.