Sherri për celularin, si u masakrua me thikë djali i rekordmenit
Një konflikt për blerjen e një celulari tip “Samsung” u bë shkak për vrasjen me thikë të një 22-vjeçari në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të hënës rreth orës 23:30 fare pranë stadiumit “Selman Stermasi” në rrugën “Gjin Bue Shpata” në Tiranë.

Viktima Marvi Mihali ishte djali i vetëm Pavllo Mihalit, atletit të njohur shqiptar, i cili prej vitit 1983 mban rekordin në kërcimin me shkop (5.21 metra), shkruan “Panorama”.

Autor i dyshuar i krimit është shtetasi Eugen Bitraj, 24 vjeç, i cili u arrestua rreth dy orë pas ngjarjes bashkë me tre miq të tij, të cilët i kishin shkuar në ndihmë gjatë përleshjes me viktimën Marvi Mihali.

Ky i fundit është ndodhur krejt i vetëm në një sulm të dhunshëm nga katër persona me të cilët është përleshur dhe më pas, është qëlluar me thikë nga Eugen Bitraj në prani të personave që 19- vjeçari kishte thirrur në ndihmë pas sherrit me viktimën.

Bëhet me dije se sherri ka nisur fillimisht mes 19-vjeçarit Dejvi Bitraj dhe viktimës Marvi Mihali, por më pas, aty ka mbërritur Eugen Bitraj me dy miqtë e tij.

SI FILLOI KONFLIKTI

Mbrëmjen e të hënës rreth orës 23:00 Dejvi Bitraj ka qenë i ulur në një lokal që ndodhet në katin e parë të një ndërtese në rrugicën fare pranë stadiumit “Selman Stermasi”.

Duke qenë se gjatë ditës Marvi Mihali i kishte kërkuar të takoheshin për çështjen e telefonit, 19-vjeçari e ka pritur viktimën në lokal.

Aty ka mbërritur 22-vjeçari Marvi Mihali, i cili është ulur në tavolinë me Dejvi Bitrajn. Në minutat e para të komunikimit, studenti i Juridikut i ka treguar 19- vjeçarit se telefoni që kishte blerë prej tij pak ditë më parë nuk merrte karikim.

Madje duke qëndruar në tavolinë, 22- vjeçari Marvi Mihali i ka shpjeguar Dejvi Bitrajt se kishte provuar edhe karikues tjetër, por telefoni prapë nuk punonte.

Në këto kushte, studenti ka kërkuar që Dejvi Bitraj të kthente paratë që kishte marrë dhe të merrte mbrapsht aparatin celular tip “Samsung”.

Paraprakisht Policia ka theksuar se celulari ishte shitur për një shumë rreth 25 mijë lekë të rinj. Pas kërkesës së 22- vjeçarit Marvi Mihali, autori i krimit Dejvi Bitraj ka kundërshtuar duke pretenduar se celularin e kishte shitur në rregull dhe paratë nuk do t’i kthente.

DEBATI DHE VRASJA

Për shkak të qëndrimeve të kundërta mes dy të rinjve ka pasur një debat të fortë më fjalë. Konflikti verbal ka vazhduar për disa minuta derisa kamerieri dhe banakieri i lokalit u kanë kërkuar të rinjve të dalin jashtë.

Dejvi Bitraj dhe Marvi Mihali kanë dalë jashtë lokalit dhe kanë vazhduar debatin me tone të larta në rrugicën fare pranë vendit ku më pas 22-vjeçari u qëllua me thikë.

Duke qenë se debati verbal ka kaluar në shtyrje dhe veprime fizike, autori i dyshuar i krimit 19-vjeçari Bitraj ka njoftuar në telefon djalin e xhaxhait shtetasin Eugen Bitraj, i cili ka shkuar në vendin e krimit me dy persona të tjerë.

Ka qenë pikërisht 24-vjeçari që sipas Policisë, e ka qëlluar me thikë Marvi Mihalin pasi kishte arritur ta mbështeste te një makinë tip “Benz” e parkuar në dalje të rrugicës ku ndodhi sherri.

Shenjat e goditjeve dukeshin dje me sy të lirë te makina tip “Benz” me ngjyrë të zezë, ndërsa pranë gomës së pasme të saj nga krahu i majtë, kishte mbetur një pellg gjaku në skenën e krimit.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi si autor i ngjarjes i shtetasit Eugen Bitraj, 24 vjeç, banues në Tiranë. Po kështu janë arrestuar si bashkëpunë- torë në krim shtetasit Dejvi Bitraj, 19 vjeç, banues në Tiranë, Kridens Alla, 19 vjeç, banues Tiranë dhe Marsel Alla, 23 vjeç, banues Tiranë”, deklaroi dje Policia e kryeqytetit. /albeu.com/

Shtuar më 02/08/2017, ora 14:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori