Kryeministri holandez: Putin nuk mund t’i ndryshojë kufijtë me një rënë të lapsit

Kryeministri holandez Mark Rutte u është bashkuar vendeve të tjera perëndimore dhe të BE-së duke deklaruar se Holanda nuk do t’i njohë kurrë rajonet e aneksuara të Ukrainës si pjesë e Rusisë. Duke folur në programin e lajmeve RTL Nieuws, Rutte tha se ata kurrë nuk do të pranojnë pushtimin e Donetsk, Luhansk, Kherson apo Zaporizhzhia ashtu si aneksimin e Krimesë.

“Bota nuk do të pranojë që Putini të shtyjë kufijtë e njohur me një goditje të lapsit”, tha ai.

Rutte shtoi se Perëndimi do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Rusinë në çdo mënyrë të mundshme për të ndalur “makinerinë e luftës” të presidentit rus – duke theksuar mbështetjen e tij për paketën e sanksioneve të BE-së për të cilën po punohet aktualisht.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi sot dokumentet që shpallin aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, teksa Moska nxiton të bllokojë avancimet territoriale që ushtria ukrainase po i arrin në fushën e betejës. Vendimi, një nga hapat ligjorë që Rusia thotë se do të çojë në aneksimin zyrtar të 15% të territorit të Ukrainës, konfirmon se Putin po e vazhdon luftën kundër Ukrainës, pavarësisht se kjo luftë pësoi një ndryshim të madh ushtarak këtë muaj si rezultat i kundërofensivës së forcave ukrainase.