Sherri me thika mes krushqve, zbardhet dëshmia e të plagosurit
Policia e Korçës është në kërkim të dy personave babë e bir pasi dyshohet se kanë plagosur me thikë një 52-vjeçar.

I plagosuri është paraqitur në spitalin e Korçës, në orët e para të mëngjesit, në rrethana të paqarta dhe Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Mësohet se i plagosuri është shtetasi A.S., i cili ka dëshmuar se pas një konflikti të çastit me dy persona (krushqit e tij) është goditur disa herë me thikë dhe më pas ata janë larguar.

“Më datë 28 korrik, jemi njoftuar se, në Spitalin e Korçës ka shkuar i plagosur me mjet mprehës (thikë) shtetasi A.S., 52 vjeç, banues në Korçë. Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas pas një konflikti të çastit në lagjen nr.17 në Korçë, është plagosur me thikë nga shtetasit M.B., 25 vjeç dhe A.B., 51 vjeç (babë e bir).

Shtetasi A.S., ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Nga ana e Policisë, po punohet për kapjen e autorëve të dyshuar, si edhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.

Nga ana tjetër, burimet thanë se ende nuk janë sqaruar saktësisht motivet e ngjarjes, pasi edhe vetë i plagosuri nuk ka arritur të japë më shumë detaje, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Ai thjesht ka arritur të ndihmojë Policinë në identifikimin e tyre. Policia ka ngritur pika kontrolli në disa zona të Korçës dhe po punon për arrestimin e dy të dyshuarve, të cilët janë shpallur në kërkim. /albeu.com/

Shtuar më 29/07/2017, ora 17:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori