Sherr në Tiranë, ja arsyeja e plagosjes së 25-vjeçarit
Sherri për një biletë sportive ka lënë të plagosur një 25-vjeçar në Tiranë. ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 12:30, në një lokal bastesh sportive, pranë ish-Ekspozitës "Shqipëria Sot".

Sipas policisë një person, ende i paidentifikuar, goditi me thikës shtetasin Arlind F., më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Forcat e Komisariatit nr.2 shkuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa i plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku, pas ndërhyrjes mjekësore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia shoqëroi disa dëshmitarë që ishin të pranishëm në lokalin e basteve ku ndodhi konflikti, por edhe jashtë tij, në rrugicat ku 25-vjeçari u godit me thikë. Sipas dëshmitarëve, sherri ka nisur mes të dëmtuarit dhe autorit, por më pas janë përfshirë edhe disa persona të tjerë që ishin të pranishëm në lokal.

Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së lokalit, për të bërë të mundur identifikimin e autorit. Ndërsa të paktën deri në mbrëmje ende nuk ishte mësuar emri i tij nga ana e oficerëve të grupit hetimor.

Ndërsa dëshmitarët kanë pohuar se autori nuk është banor i zonës dhe se nuk e kishin parë herë të tjera në lokalin ku ndodhi konflikti. Nga ana tjetër, i plagosuri mësohet se shkonte vazhdimisht aty, duke qenë se banonte vetëm disa metra më larg.

Pas ndihmës së mjekëve në Spitalin Ushtarak, 25- vjeçari Arlind F. e ka kaluar rrezikun për jetën dhe është shtruar në pavijon. Oficerët e Policisë kanë kërkuar disa herë që të merret dëshmia e tij, por fillimisht nuk janë lejuar nga mjekët, më pas ka qenë vetë i plagosuri që ka refuzuar të japë shpjegime për ngjarjen.

Burimet thanë se fillimisht ai është shprehur se nuk mbante mend se çfarë i kishte ndodhur, ndonëse, sipas mjekëve, plaga në bark ka qenë thuajse sipërfaqësore dhe nuk i ka dëmtuar asnjë organ jetësor, dhe gjatë gjithë kohës edhe pasi ka mbërritur në spital ka qenë i vetëdijshëm.

Të njëjtat burime thanë se 25- vjeçari më pas ka thënë se është konfliktuar me një të panjohur për një skedinë, pasi ai kërkonte që të vendoste të njëjtat ndeshje si të tijat, por edhe këtë version e ka mohuar pak minuta më vonë, duke thënë se nuk ishte i sigurt për atë që kishte ndodhur.

Ndërsa mësohet se i riu fillimisht ka thënë se e njeh personin që e goditi me thikë, por nuk e ka thënë emrin e tij. Për këtë arsye, oficerët e Policisë e kanë shtyrë marrjen e deklarimeve të tij për një moment tjetër, kur gjendja e tij të jetë më e stabilizuar. /albeu.com/
Shtuar më 09/05/2016, ora 08:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori