Moti i keq “gjunjëzon” Jugun e Italisë, sa pritet të ndikojë në Shqipëri

Moti i keq ka gjunjëzuar Siçilinë dhe një pjesë të mirë të jugut të Italisë ditët e fundit.

Si pasojë e stuhive dhe përmbytjeve të shumta, situata është përshkallëzuar e ka dalë jashtë kontrollit.

Kjo ka bërë që qytete të tëra të “lundrojnë” nën ujë.

Cikloni Apolo po shkatërron zonën lindore të ishullit ku mbrojtja civile rajonale ka dhënë alarmin e kuq. Është një situatë emergjente, sidomos në Sirakuzë dhe Katania. Një stuhi që ka shkaktuar dy viktima deri tani. Në territorin e Augustës 80 familje janë totalisht të izoluara për shkak të nivelit të lartë të ujit. Hyrjet në qytet janë totalisht nën ujë. Kryebashkiaku Di Mare bëri të ditur se vetëm autobusët mund të lëvizin.

Zjarrfikësit po ndihmohen nga vullnetarët e mbrojtjes civile. Kryebashkaiku i Augustës shpreh shqetësim dhe për dëmet materiale të shkaktuara nga cikloni. Ai tha se kur emergjenca të ketë përfunduar, duhet të kuptohen kushtet në të cilat ndodhet qyteti, dhe prioritet do të jetë gjendja e shkollave.

Janë të shumta rrugët e përmbytura nga uji, shtëpitë dhe dyqanet të cilave nuk mund t’u afrohesh. Janë ndërprerë lidhjet mes Katanias dhe Mesinës. Reshje, stuhi të forta dhe erëra me shpejtësi të lartë kanë shkaktuar përmbytje. Autoritetet vendore përsërisin apelet për banorët, duke i thënë të mos dalin nga shtëpitë, sidomos në zonat më të prekura. Sipas meteorologëve pritet që të shtunën të nisë dhe përmirësimi i motit.

Sipas meterologëve, kjo stuhi nuk pritet të prekë vendin tonë, pasi prej ditës së sotme, edhe atje pritet një përmirësim gradual i motit./albeu.com/