Në pranga 6 shtetas turq në Durrës, shpallet në kërkim bullgari që i pajiste me dokumenta false

Policia e Durrësit ka arrestuar gjashtë turq, ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas bullgar. Sipas uniformave blu është zbardhur skema skema e falsifikimit të dokumenteve.

Shtetasi nga Bullgaria, F. S., 53 vjeç dyshohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

53-vjeçari ka ndihmuar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, 6 shtetas turq, të cilët janë arrestuar në flagrancë, pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin në PKK Durrës, me karta identiteti bullgare të falsifikuara, për në zonën Schengen. Ndërkohë, bullgari ka mundur të largohet jashtë vendit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Identiteti”.

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit të Durrësit dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Zbardhet skema e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fititmit.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 53-vjeçari bullgar që organizonte dhe kryente falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit, i cili ka mundur të largohet jashtë vendit.

Më herët, në Portin e Durrësit, në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 6 shtetas turq, të cilët tentuan të përdornin dokumente të falsifikuara për të kaluar kufirin.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Durrës, në bashkëpunim me DRKM Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Identiteti”, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit bullgar F. S., 53 vjeç.

Si rezultat i punës hetimore, nga ana e Seksionit të Krimit Ekonomik u vërtetua skema e falsifikimit të dokumenteve dhe e përdorimit të tyre.

53-vjeçari dyshohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi ky shtetas, ka ndihmuar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, 6 shtetas turq, të cilët janë arrestuar në flagrancë, pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin në PKK Durrës, me karta identiteti bullgare të falsifikuara, për në zonën Schengen.

Në bashkëpunim me homologët vijon puna për kapjen e shtetasit bullgar të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për hetime të mëtejshme.