Për cilin kryeministër britanik po “lufton” Kina dhe pse?

Teksa në Mbretërinë e Bashkuar pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare, Kina duket se është investuar në mënyrë aktive në këtë proces dhe po mbështet fuqishëm njërin prej kandidatëve.

Hakerat kinezë mund të ndërhyjnë në zgjedhjet e ardhshme për kryeministrin e ri britanik në mënyrë të ngjashme me ndërhyrjet ruse gjatë votimit për referendumin e Brexit në vitin 2016.

Kështu janë shprehur burime nga forcat e sigurimit britanik.

Për herë të parë gjatë zgjedhjeve do të implementohet një sistemi i ri i cili do t’i lejojë anëtarët e Partisë Konservatore të ndryshojnë votën e tyre online – një herë të vetme – nëse duan të mbështesin një tjetër kandidat.

Kjo sipas ekspertëve është një dritare e hapur, e cila e bën sistemin e ri vulnerabël ndaj sulmeve kibernetike.

Por pse i intereson Kinës kush fiton në Britani?

Ka disa arsye.

Ndërkohë që Sekretaria e Jashtme, Liz Truss, ka adoptuar një qëndrim agresiv kundër Rusisë dhe Kinës, Rishi Sunak është treguar shumë më i butë në qëndrimin e tij duke e justifikuar me interesat e Britanisë së Madhe ndaj politikave të jashtme dhe tregëtisë globale.

Në të njëjtën kohë gruaja e z. Sunak, Akshata Murty, ka interesa financiare në dy biznese të mëdha teknologjike në Kinë.

Ajo është e lidhur me këto dy kompani me anë të një grupi konsulence IT, Infosys, që është ngritur nga babai i saj miliarderi N.R. Narayana Murthy.

Edhe anëtarë të tjerë të familjes së Murty kanë aksione në kompaninë Infosys e cila vlerësohet të paktën 67 miliardë paund.

Ndërkohë, kandidatja Truss ka mbajtur një qëndrim krejt të kundërt, duke u shprehur fuqishëm kundër Rusisë dhe Kinës.

“Ne kemi bërë gabime të mëdha, si botë e lirë, duke qëndruar shumë pranë shteteve si Rusia, duke e lejuar të marri pjesë në G8, duke e bërë Europën të varur ndaj gazit rus, dhe duke lejuar kulturën e biznesit rus të influencojë vende si Londrën.

I bëj thirrje Europës të heq dorë sa më shpejt nga gazi rus sepse ajo është makineria që financon luftën e Vladimir Putin, dhe mendoj që duhet të jemi shumë të qartë që Rusia po punon me Kinën.

Ne nuk duhet të jemi të varur nga Kina në aspektin strategjik – dhe duhet të jemi shumë të kujdeshëm në fusha si teknologjia në mënyë që mos t’i lejojmë ata të kthehen në kërcënim për ne.” – tha Truss.

Kina e ka bërë të qartë mbështetjen e saj për kandidatin Sunak, duke uruar kandidimin e tij menjëherë pasi fushata e tij u bë publike.

Tabloidi kryesor i qeverisë kineze përshëndeti dhe vlerësoi përpjekjet e tij për të forcuar marrdhëniet mes Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke e quajtur një kandidat ‘të zgjuar dhe pragamtik’.