SHËNIM/ Lufta e fundit
Nga Albeu.com
Deklarata e djeshme e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke thënë se takimi Basha-Rama ishte një rast i politikës shqiptare për të pasur një konsensusi në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe duke drejtuar gishtin nga demokratët për mos arritjen e tij tregon se fati i saj është i patjetërsueshëm.

Me ose pa konsensusin e të gjitha palëve, SHBA dhe BE duket se kanë vendosur që ta kalojnë reformën, fakt i cili është bërë shkak edhe për një nxehje të beftë të skenës politike të vendit me skandale të përditshme duke drejtuar shigjetat edhe nga ministri i Brendshëm për çështjen e pajisjes përgjuese.

Është një luftë politike ku duket se palët kanë angazhuar të gjitha resurset e tyre. Nëse maxhoranca për çështjen e reformës ka në krah ndërkombëtarët dhe kartonat në Kuvend, opozita po luan fort me çështjen e përgjimeve, një hetim i cili rrezikon të kompromentojë jo pak edhe vetë ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Po ashtu, PD-ja ka paralajmëruar se mund të djegë mandatet e saj duke nxjerrë jashtë funksionit edhe Kuvendin nëse tentohet që të blihen deputetë djathtas që të votojnë pro draftit të PS-së.

Ndërkohë, mundësinë që të përfshihet edhe Tahiri në skandalin e përgjimeve e ka paralajmëruar edhe Edi Rama gjatë fjalimit të mbajtur sot në Kuvend duke thënë se ata (opozita sh.r) do ta bënin hero Saimir Tahirin nëse do ta dërgonin në hetim duke aluduar njëkohësisht edhe faktin se organet e drejtësisë janë të kapura politikisht.

Të gjitha skandalet e deritanishme në vetvete duken të ndara nga njëri-tjetri, por në thelb duket se qendron përplasja politike pikërisht për Reformën në Drejtësi.

Duket si një luftë e fundit. Një luftë ku kundërshtarët i kanë thirrur të gjitha forcat e tyre në fushë.

Aq e fortë duket përplasja dhe shkaku që gjendet pas saj sa që demokratët nuk e kanë pasur problem as të përdorin një gjuhë të ashpër në komunikimin me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin dhe as t’i hyjnë një spirale përplasjeje me amerikanët, të ngjashme me ato të Berishës pas kryengritjes së “14 Shtatorit” 1998.

Nuk duket aspak e cuditshme kjo për skenën politike shqiptare për sa kohë sa për mënyrën si është konceptuar Reforma në Drejtësi ajo pritet të ndryshojë terësisht balancat në sistemin e drejtësisë duke zhbërë atë që forcat politikë kanë arritur të bëjnë deri më tani: Kapjen e sistemit të drejtësisë. Një fakt i tillë do t’i hapte rrugë një ridimensionimi të skenës politike të vendit. /Albeu.com/
Shtuar më 09/06/2016, ora 16:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori