SHËNIM/ U kthye vetë apo me porosi të amerikanëve?
Ndërkohë që në vend po del në pah një çarje e thellë mes socialistëve dhe demokratëve për sa i përket miratimit të shtatë ligjeve që përbëjnë Reformën në Drejtësi, kreu i Kuvendit Ilir Meta njofton nëpërmjet zyrës së shtypit të këtij institucioni se është detyruar të ndërpresë vizitën katër ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të qenë më pranë zhvillimeve në fjalë në Shqipëri.

"Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, ndërpret vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditëve të fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi"., - lajmërohet nga Zyra e Shtypit të Kuvendit.

Miratimi i Reformës në Drejtësi ishte një sfidë e të gjithë faktorëve politik në vend, aq sa shkaktoi edhe turbulence të mëdha në spektrin politik duke kristalizuar aleanca të reja e duke vënë në dyshim aleancat e vjetra mes partive të mëdha. Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se Meta ka qenë një personi kyç që detyroi Ramën që të merrte konsensusin e Bashës në mënyrë që reforma të mos kalonte vetëm me votat e majta.

Në gjithë atë operacion të madh politik, rol kryesor kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk ngurruan madje që të kërcënonin deputetët për pasoja negative nëse nuk do të jepnin votën pro reformës.

Çarja e dalë në pah tani mes qendrimit të demokratëve dhe socialistëve është një paralajmërim që mund të vejë në dyshim suksesin e reformës dhe marrëveshjen e arritur më datë 21 korrik.

Duke marrë parasysh investimin e madh të amerikanëve në këtë drejtim dhe faktin se Meta po ndërpret një vizitë të rendësishme në SHBA për të ardhur urgjent në Shqipëri për çështjen e ligjeve në fjalë, duket më shumë se ai është dërguar këtu me porosinë që të mundësojë miratimin paketës ligjore se sa të jetë kthyer i shqetësuar për fatet e reformës. Amerikanët nuk mund të lejojnë bërjen pluhur të një investimi gati një vjeçar për teka të politikës së Tiranës./Albeu.com/
Shtuar më 27/07/2016, ora 17:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori