SHËNIM/ Si i kanë ndarë “punët e shtëpisë” Basha dhe Berisha në PD
Nga Albeu.com
Partia Demokratike është futur praktikisht në fushatën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Turet e Bashës në qytetet e ndryshme të vendit duke denoncuar qeverisjen e të majtëve si edhe duke publikuar pjesë të programit qeverisës të PD-së, si edhe retorika agresive e tij në daljet e fundit publike tregojnë se të djathtët kanë filluar tashmë të punojnë në shërbim të zgjedhjeve.

Duke mos mundur të ndajnë Berishën nga drejtimi i PD-së, duket se ata të dy i kanë ndarë “punët e shtëpisë” ku Berisha ka marrë nën menaxhim Reformën në Drejtësi si edhe përfaqësimin e PD-së në Parlament, ndërsa Basha bën artikulimin e alternativës së kësaj partie të opinionin publik duke tentuar gjithashtu demontimin e kësaj maxhorance nëpërmjet sulmeve të përqendruara në objektivë të paracaktuar.

Pas akuzave të përditshme ndaj Ilir Beqjes për abuzime me milirda lekë në sektorin e shëndetësisë, tashmë PD ka vënë sërish në fokus Saimir Tahirin duke e artikuluar vazhdimisht emrin e tij sëbashku me atë të Emiljano Shullazit.

Fokusimi tek një figurë e krimit duke artikuluar në mënyrë të përseritur kapjen e pushtetit prej tij është një taktikë klasike e mënyrës se si bën opozitë Berisha. Të njëjtën taktikë ndoqi me Nanon gjatë qeverisjes tetë vjeçare të të majtëve duke ripërsëritur publikisht terma si “Duka i krimit”, të cilat mbahen mend edhe sot pavarësisht se kanë kaluar 11 vite që atëhere.

E njëjta taktikë po ndiqet me Saimir Tahirin, i cili është përvijëzuar si ministri i kapur prej bandave dhe grupeve kriminale në çdo dalje publike të të djathtëve. Në këtë linjë, Lulzim Basha publikoi një liste më funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët sipas tij ndihmojnë segmente të caktuara të krimit në aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm .

Akuzat në fjalë janë tepër të rënda për strukturat e zbatimit të ligjit duke bërë të domosdoshme dhënien e një përgjigjeje shterruese prej drejtuesve të policisë, gjithashtu paralajmërojnë për një verë të nxehtë të politikës shqiptare me Reformën në Drejtësi që duhet kaluar medoemos dhe zgjedhjet e përgjithshme që janë në prag. /Albeu.com/
Shtuar më 06/05/2016, ora 22:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori