SHËNIM/ Rrofshin autobotet!
nga Albeu.com - Gëzimi më i madh për gjysmën e familjeve kryeqytetase sot nuk ka qenë as dalja për drekë apo darkë në ndonjë restorant, as fitimi i ndonjë llotarie apo gjëra të ngjashmë. Gëzimi më i madh i kryeqytetasve ka qenë sigurimi i disa bidonave ujë për të larë duart, për të gatuar apo për t’i hedhur ujë tualetit.

Dalja jashtë loje e impiantit të Bovillës nga reshjet e shumta gjatë ditës së shkuar sipas autoriteteve ka privuar nga një element jetësor një pjesë të mirë të kryeqytetit, të cilët hallin më të madh gjatë ditës së sotme kanë pasur pikërisht gjetjen e disa litrave ujë për të përmbushur nevojat ditore të familjes.

Më fatlumët kanë qenë ata në lagjet e të cilëve kanë kaluar autobota. 20 lekë bidoni 5 litërsh dhe 120 lekë 30 litërsh. Kaq ishte bursa e ujit sot në rrugët e Tiranës, ku shoferët e autoboteve, zemërmirë, ua qanë hallin kryeqytetasve duke mos ua rritur çmimin edhe pse gjatë gjithë ditës janë përballur nga kërkesa të larta për furnizim.

Radhë të gjata, që të kujtojnë periudhën kur pritej për të marrë qumështin gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga komunistët; zbritje me rend e shkallëve sapo jashtë nga megafoni i ndonjë autoboti dëgjohëj “Hajde ujë Selite”, bidona të ngjyrave dhe madhësive të ndryshme. Kjo ishte dreka, pasditja dhe mbrëmja e një pjesë të mirë të kryeqytetasve, të cilët jetojnë në Tiranë, por të paktën për një ditë u solidarizuan me mjaft banorë të tjerë të Shqipërisë që ujin e pijshëm në shtëpi e kanë ende luks.

Autobotet ishin ata që përballuan nevojën e kryeqytetasve sot për ujë. Dhe në kushtet kur UKT ka lenë pa ujë gjysmën e Tiranës, nuk është e tepruar të thuhet: Rrofshin autobotet! /albeu.com/
Shtuar më 23/11/2015, ora 22:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori