SHËNIM/ Qeveria centralizon ujësjellësat, cili është qëllimi i Ramës?
Nga Albeu.com
Të gjitha bashkitë që iu janë gëzuar deri më tani decentralizimit dhe fitimit të së drejtës për të vetë administruar disa shërbime të rendësishme ndaj qytetarëve do të duhet tkurren sërish në kompetencat e tyre.

Qeveria ka vendosur që t’u marrë prej duarve ekskluzivitetin e administrimit të ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve duke i futur sërish nën ombrellën e një institucioni epror qeveritar.

Këshilli i Ministriave vendosi të ngrejë sot Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve si një organ nën varësinë direkte të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës duke funksionuar si organi përgjegjës për aktivitetin e ndërmarrjeve të tjera nëpër bashkitë e vendit.

“AKUK-u, nëpërmjet autoritetit të saj ligjor dhe teknik, koordinon dhe monitoron të gjitha aktivitetet sektoriale për sigurimin e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, në nivel qendror dhe vendor”, - përcaktohet në VKM duke zgjeruar kështu kompetencat e e një organi të qeverisjes qendrore ndaj të gjitha ndërmarrjeve që janë në varësi të bashkive.

Agjencia në fjalë pritet të ketë një kontroll të madh në mënyrën se si do të funksionojë nga tani e tutje ndërmarrjet e bashkive, të cilat sipas VKM-së së sotme do të duhet që të raportojnë dhe marrin miratimin nga qendra për çdo investim. Kjo agjenci do të ketë gjithashtu edhe ekskluzivitetin e marrëdhenieve më të tretët për çdo projekt që do t’ju duhet ndërmarrjeve të rretheve të zhvillojnë në territorin e administruar prej tyre.

Në thelb, ky është një hap pas për sa i përket decentralizimit të pushtetit lokal, për të cilin është investuar shumë deri më tani në fonde si edhe burime njerëzore. Pjesë dërrmuese e ndërmarrjeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve administrohen nga bashkitë duke pasur si qëllim forcimin e kapaciteteve menaxhuese të tyre, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Është i pakuptueshëm ky vendim për centralizimin e ujësjellës-kanalizimeve për aq kohë sa deri më tani ka pasur një nxitje të madhe nga qeveritë e mëparshme për kalimin e tyre nën administrimin e bashkive.

Ka pasur disa shërbime të tjera, të cilat qeveria i ka centralizuar fillimisht dhe më pas i ka dhënë me koncesion. Megjithatë, janë muajt në vazhdim ata që do të tregojnë efektet dhe qëllimin real të këtij vendimi në dukje të pakuptimtë. /Albeu.com/
Shtuar më 06/07/2016, ora 20:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori