SHËNIM/ Prapaskena e revoltës së Topallit, Patozit, Pollos dhe Rulit ndaj ambasadorëve
Nga Albeu.com
Ka shkaktuar thuajse në mini revoltë të disa deputetëve demokratë vizita e sotme e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Një pjesë e tyre e kanë kundërshtuar në prani të ambasadorëve qasjen e këtyre të fundit ndaj Reformës në Drejtësi, kurse disa të tjerë kanë shfaqur mosdakordësinë ndaj Lu-së dhe Vllahutin duke mos marrë pjesë në mbledhje ose duke e braktisur atë pa mbaruar.

Kështu, Genc Pollo dhe Astrit Patozi kanë debatuar me ambasadorët në mbledhje duke thënë se deputetët demokratë nuk mund të votojnë paketën për Reformën në Drejtësi pa e lexuar më parë atë.

Pollo ndërkohë theksoi se është i papranueshëm presioni që po bëhet dhe stigmatizimi si “anti-amerikan” apo “anti-europian” ndaj atyre që kanë vërejtje qoftë edhe minimale ndaj reformës.

Nëse Pollo dhe Patozi i shprehen aty rezervat e tyre ndaj ambasadorëve, Jozefina Topalli ka zgjedhur që të mos flasë por duke dhënë një mesazh shumë kuptimplotë. Ajo doli nga mbledhja në mes të saj duke theksuar se ishte nisur për një takim tjetër pasi nuk mendonte se do të zgjaste kaq gjatë.

Genc Ruli ka qenë edhe më i drejtpërdrejt duke theksuar se vullneti për reformën tregohet nga veprime direkte të partisë dhe jo nëpërmjet takimeve butaforike me ambasadorët.

E gjithë kjo duket si një ngjarje e rrallë në terrenin politik shqiptar, pasi nuk ka ndodhur shpesh që një grup jo i vogël deputetësh të veprojnë kështu ndaj dy prej përfaqësuesve më të rendësishëm diplomatik në Shqipëri. E nëse duket si një veprim i rrallë, edhe shkaku i këtij veprimi duket të jetë tepër i fortë. Ai lidhet me Sali Berishën, si shumë gjëra të tjera që ndodhin në PD.

Berisha nuk ishte sot në takimin me ambasadorët duke dhënë në mënyrë të tërthortë mos dakordësinë ndaj asaj që po vepronin ata. Sigurisht që ky ishte një mesazh i drejtpërdrejt për ata deputetë që kanë punuar afër më të dhe që dijnë se si vepron Berisha.

Po të shohësh listën e atyre që reaguan sot në forma të ndryshme ndaj ambasadorëve janë të gjithë deputetë të vjetër dhe relativisht të vjetër të Partisë Demokratike dhe thuajse të gjithë investime të Berishës. Topalli e Genc Ruli njihen si mbështetës të linjës së Berishës në PD. Të gjithë ata zgjodhën të shprehin besnikërinë ndaj Berishës duke injoruar në një farë mënyrë ambasadorët dhe mesazhet që ata dhanë në atë mbledhje. /Albeu.com/
Shtuar më 11/05/2016, ora 20:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori