SHËNIM/ O sa mirë që u rritën çmimet!
Nga Albeu.com
Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi ecurinë e çmimeve gjatë muajit të shkuar duke theksuar se vërehet një rritje e lehtë e tyre krahasuar me tetorin si edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, rritja më e madhe është shënuar në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2.30 për qind duke u ndjekur nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me +0.12 për qind. Rritje gjatë nëntorit gjithashtu sipas INSTAT është vërejtur edhe në shërbimin arsimor apo grupin “Hoteleri, restorante”.

Në një periudhë kur nga ekonomia vijnë më shumë lajme negative se sa pozitive, kjo është një e dhënë inkurajuese në tërësinë e saj. Rritja e çmimeve, pikërisht në nivele të moderuara siç ka ndodhur në nëntor tregon më së pari se vendi po del nga treguesit problematik të inflacionit që ka pasur deri më tani, të cilët pasqyronin një ulje të theksuar të aktivitetit ekonomik në Shqipëri.

Këto tregues do të jenë edhe më inkurajues nëse qendrojnë në kufijtë e 2.5-3 % për një periudhë të gjatë, ashtu siç është edhe angazhimi i BSH-së për t’a mbajtur brenda këtyre treguesve duke siguruar një terren të përshtatshëm për zhvillimin ekonomik në vend.

Kjo rritje duket se ka të bëjë edhe me fillimin e efekteve të vendimit të Bankës së Shqipërisë për t’a ulur normën bazë të interesit për lekun në minimumin historik, 1.75 % me qëllim pikërisht nxitjen e aktivitetit ekonomik.

Edhe pse në pamje të parë kemi të bëjmë me rritje të çmimeve dhe rritje të kostos së blerjes së disa produkteve për konsumatorët, kjo rritje e moderuar e çmimeve është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare.

Treguesit e inflacionit të majit dhe qershorit të vitit të shkuar ku inflacioni zbriti në 1.5 për qind u panë me shqetësim nga Banka e Shqipërisë, pasi po vërehej një tkurrje e aktivitetit ekonomik në Shqipëri duke dhënë sinjalet e një ndërhyrjeje tjetër të detyrueshme nga ky institucion nëpërmjet normës bazë të interesit për lekun. /albeu.com/
Shtuar më 09/12/2015, ora 20:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori