SHËNIM/ "Kamxhiku" Petrit
Intriga që po shoqëron procesin e negociatave për miratimin e Reformës në Drejtësi e deri tek dërgimi i saj për votim në Kuvend është e denjë ndoshta për një serial me dhjetra seri ku do të merrnin pjesë personazhe të ndryshëm, nga ata që ndryshe flasin në mëngjes e ndryshe në mbrëmje tek ata që nuk duken askund, por që levizin shumë fije në skenën politike të vendit.

Tensioni tashmë ka arritur kulmin dhe Edi Rama ka treguar se mund ta dërgojë në Kuvend draftin e ndryshimeve ligjore, të cilat përbëjnë atë që e quajmë Reforma në Drejtësi duke pasur kështu edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët duken të lodhur me refuzimin e vazhdueshëm të demokratëve.

Por, nëse demokratët kanë një qendrim konstant kundër draftit të miratuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, është LSI ajo që nuk ka dalë asnjëherë kundër, por që vazhdimisht jep sinjale duke treguar se PS edhe mund të mos i ketë votat për ta kaluar vetëm me kartonat e maxhorancës.

Në një deklaratë për mediat, i përhershmi për çështje të tilla, Petrit Vasili, i rikujtoi Ramës se nuk është ai që vendos vija të kuqe në negociatat me Partinë Demokratike, por Komisioni i Venecias. “Dua t’ju rikujtoj se Komisoni i Venecias është i vetmi institucion që mund të përcaktoj standardet ndërkombëtarisht të reformës, apo siç thuhet siç është termi; vijat e kuqe të reformës”, - u shpreh Vasili duke i dhënë të drejt ndërkohë opozitës për pretendimet e saj.

Kjo deklaratë e Vasilit vjen pas takimit të djeshëm të Kryeministrit Rama me kreun e Kuvendit Ilir Meta për një orë duke diskutuar kështu modulet e Reformës në Drejtësi. Dita e djeshme gjithashtu pati dhe një intensitet të lartë të takimeve me ndërkombëtarët kur Rama u takua me ambasadorin Lu, kurse Basha me shumë ambasadorë të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian.
Në përmbajtje të saj duket qartë se Meta kërkon t’i japë një tjetër mesazh Ramës duke i kërkuar që të marrë në konsideratë kërkesat e demokratëve, ç’ka pasqyron se çështja e reformës nuk është mbyllur ende mes të dyve.

Nuk është rastësi që këtë mesazh e jep Petrit Vasili, nënkryetar i LSI-së, i cili është figura që del në public sa herë që Meta ka diçka të fortë për të thënë, por që nuk do të përdorë gojën e tij. Vasili ka luajtur rolin “kamxhikut” ndaj palës tjetër sa herë që mes Ramës dhe Metës gjërat nuk kanë qenë mirë. /Albeu.com/
Shtuar më 16/06/2016, ora 20:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori