SHËNIM/ Dashnoret, mitingashët dhe hipokrizia Rama-Ahmetaj me administratën
Nga Albeu.com
Krerët e maxhorancën vazhdojnë të mbajnë në krye të fjalimeve të tyre fajësimin e administratës publike për çdo gjë që nuk ecën mirë në këtë vend.

Si kryeministri ashtu edhe ministri i Financave Arben Ahmetaj nuk i kursyen akuzat e tyre ndaj nëpunësve publik duke premtuar "futjen e saj në shina" dhe rritjen e profesionalizmit.

Të terrorizuar dhe të kapur peng duke kërcënuar me "bukën e gojës" së kalamajve, nëpunësit publik janë personat lehtësisht të shantazhueshëm sot.

Fjalimet e Ramës dhe Ahmetajt sot në Kuvend do të kishin logjike sikur deri dje të kishte qeverisur ndonjë tjetër dhe jo që si Rama ashtu edhe Ahmetaj kanë qenë vetë në krye të gjërave për 1 400 e kusur ditë nga viti 2013 e deri më sot.

Përveç një pjese specialistësh që nuk kishin se çfarë t'u bënin, mund të thuhet se maxhoranca aktuale e ka ribërë administratën publike që prej vitit 2013 me shkarkimet masive pas ardhjes në pushtet.

Shteti shqiptar duhet t'u paguajë në formë dëmshpërblimi miliona euro ish-nëpunësve të shkarkuar, për të cilët gjithashtu ka vendime gjykatash për rikthim në punë

Dhe sa i përket asaj pjese që janë profesionistë dhe njohës të mirë të punës, në krye u kanë vënë ose dashnoret e shefave, ose të afërmit e njërit apo tjetrit deputet dhe ose mitingashët e partive, të cilët në vetvete janë "elif matrakë".

Çfarë të bëjë një ekonomist/e profesionist/e kur shef i kanë vendosur një mitingashe? Po një mësuese, kur në krye i kanë vendosur nusen e drejtorit të ALUIZNI-t të rrethit apo një tjetër drejtorie gjetkë? Po një sporteliste që ka gjithë jetën aty, çfarë duhet të bëjë kur shefe i kanë vendosur dashnoren e deputetit apo të kryetarit të PS-së së rrethit?

Nëse e kanë për "elif matrakët" e mësipërm, atëherë Rama dhe Ahmetaj kanë plotësisht të drejt, por gjasat janë që kësaj furtune të paralajmëruar të mos i shpëtojnë profesionistët dhe ata që s'kanë "krah" dhe te mbeten sërish nëpër punëra të mira dhe kolltuqe të rehatshme dashnoret; miqtë dhe mitingashët.



Shtuar më 12/09/2017, ora 14:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori