SHËNIM/ Basti i madh i Lulzim Bashës
Nga Albeu.com
Diskutimet mbi reformën po karakterizohen nga një nervozizëm i theksuar i të majtës si edhe ndërkombëtarëve ndaj Bashës dhe Berishës, të cilët këmbëngulin tek kuotat për partitë politike në organet e reja drejtuese të sistemit të drejtësisë.

Nisur nga kjo situatë, duke përjashtuar ndonjë levizje të paparashikuar të Ilir Metës në momentet e fundit, duket se maxhoranca nuk e ka problem edhe që t’a miratojë vetëm me votat e saj Reformën në Drejtësi duke përmbyllur kështu një debat të stërzgjatur disa mujor, por duke kryer operacionin më të thellë në këtë sistem që prej fillimit të viteve ’90.

Deklarata e sotme e Kryeministrit Rama dhe paralajmërimi i Berishës i disa ditëve më parë teksa thoshte se maxhoranca s’duhet të miratojë reforma që do të kenë çmim të lartë për vendin e konfirmojnë faktin se ka një pritshmëri që PS të miratojë ndryshimet ligjore qoftë edhe vetëm me votat e majta.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është ajo se çfarë do të ndodh tek Partia Demokratike, lidershipi i saj dhe aksioni i tyre politik nëse Rama e kalon reformën pa dakordësinë e tyre?

Shkurt: Çfarë do të bëjë Basha nëse Rama e kalon “me kokë të vet” reformën?

Ky është një bast i madh që Basha ve mbi Partinë Demokratike dhe karrierën e tij si politikan në rritje siç është parë deri më tani.

PD ka pak gurë në dorë aktualisht duke marrë parasysh edhe faktin se Rama ka madje edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për ta dërguar reformën në Kuvend qoftë edhe pa mbështetjen e të djathtës. Në këto kushte, aksioni diplomatik në kancelaritë e perëndimit duket jo i frytshëm për të legjitimuar veten dhe demonizuar Ramën në sytë e tyre. Një gurë tjetër është destabilizimi politik i vendit, i cili fillon me bojkot të Parlamentit dhe fillimin e protestave, gjë e cila mbetet për t’u parë se sa mirë do të mbështillet me kauzën e problemeve ekonomike për të mbledhur sa më shumë mbështetës nga pas.

Nëse do të bëjë këtë, Basha do të marrë përsipër bastin e madh mbi vetën dhe karrierën e tij duke u barazuar kështu në sytë e ndërkombëtarëve me Berishën dhe aksionet e tij të forta politike të një dekade e gjysmë më parë. Krahas kësaj, Basha do të mbahet mend si i përkëdheluri i ndërkombëtarëve në fillimet e tij politike, i cili u kthye në “ djalin plangprishës” nën diktimin e liderit historik të demokratëve, Sali Berisha.

Duke dalë kundër Reformës në Drejtësi dhe duke përdorur një gjuhë më shumë se agresive me ambasadorët më të rendësishëm në vend me qëllim mos lejimin e kapjës së sistemit të drejtësisë nga Rama sipas tij, Basha po bën atë që në gjuhën e kumarit quhet “all in”, pra i ka hedhur të gjitha në tavolinë.

Ky është basti më i madh i vendosur prej tij në karrierën e shkurtër politike, i cili fitohet vetëm nëse Rama nuk e kalon me votat e majta reformën nëser apo gjatë këtyre javëve në Kuvend. /Albeu.com/
Shtuar më 15/06/2016, ora 18:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori