SHËNIM/ Arrogancë koncesionarësh
Nga Albeu.com

Përpos habisë dhe pasigurisë së krijuar në opinionin publik vjedhja spektakolare e ndodhur dje në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas duket se do të kthehet në një skandal të një lloji tjetër: Atë të marrëdhënies së shtetit me koncesionarët për sa i përket çëshjeve të sigurisë.

Një letër këmbim mes Komisariatit të Policisë së Rinasit dhe koncesionarit që administron këtë aeroport ka nxjerrë në pah faktin se këta të fundit ishin paralajmëruar më parë për mungesa të elementëve të sigurisë në territorin e tij duke krijuar hapësira për kryerjen e veprimtarive kriminale.

Në shkresën që mban datën 21 prill 2014 (Lexo në fund), me numër protokolli 457, Ermal Milori, Drejtor i Komisariatit të Rinasit i bën me dije administratorëve të aeroportit, kompanisë koncesionare Tirana International Airport problematikat e hasura me sistemin e brendshëm të kamerave (CCTV) në territorin e aeroportit duke bërë edhe konstatime konkrete për secilën kamër që nuk ishte funksionale.

Për ironi të fatit, një pjesë e kamerave të konstatuara jashtë funksioni nga Policia e Rinasit ishin edhe ato të vendosura tek porta nga ku bëhet furnizimi me karburant i avionëve ku edhe ditën e djeshme hyri automjeti i grabitësve. Bashkë me to, policia i kërkon administratorëve të aeroportit edhe vënien në funksion të shumë kamerave të tjera në territorin e aeroportit.

Nuk ka zgjatur më shumë se tre ditë dhe Komisariatit të Policisë së Rinasit i vjen më datë 24 prill 2014 një letër përgjigje nga adminisratorët e aeroportit të firmosur nga Drejtori Ekzekutiv i Tirana International Airport SHPK, Rolf Castor-Vasquez. Në të gjithë përmbajtjen e letres duket se drejtori në fjalë ia ve “kufirin tek thana” policisë së Rinasit duke i thënë se nuk është punë e saja që të bëjë kontrollin e kamerave dhe administrimin e përmbajtjeve filmike të tyre.

Në këtë mënyrë, Policia e Rinasit është nxjerrë jashtë loje nga vetë koncesionarët për të mbikëqyrur sigurinë e tij.
Ky fakt ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me raportin me organeve të sigurisë së vendit dhe kompanive vendase apo të huaja që ofrojnë nëpërmjet koncesionit shërbime të ndryshme duke administruar territore apo njësi që kanë rëndësi të madhe strategjike.

Për fat të mirë, keqbërësit thyen të gjithë sistemin e sigurisë të aeroportit dhe kishin qëllim rrëmbimin e parave, por do të kishte ndoshta pasoja të pakonsiderueshme nëse qëllimi i tyre do të ishte tjetër, si rrëmbimi i ndonjë avioni të fluturimeve civile.

Me dhënien me koncesion, shteti heq dorë nga administrimi i njësisë në fjalë por jo nga sovraniteti i territorit apo detyrimi për të ofruar siguri për qytetarët apo pasurinë e tyre edhe pse ndodhet brenda territorit ku operon koncesionari.

Është e qartë se rasti në fjalë do të çojë në rishikimin e elementëve të sigurisë për mënyrën se si transportohen paratë nga kompanitë e shoqërimit, por pas këtij letër këmbimi duket se është edhe rasti për të ridimensionuar marrëdhëniet me koncesionarët, të cilët duhet të kuptojnë e nëse nuk e kuptojnë duhet t’ju imponohet roli i Policisë së Shtetit në mundësimin e sigurisë së jetës dhe pasurisë së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. /Albeu.com/


Shtuar më 01/07/2016, ora 15:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori