Shëndeti mendor, prezantohet projekti “Shqipëria nesër”
Në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë u zhvillua sot Konferenca “Nga afër askush nuk është normal,” nën drejtimin e Zëvendësministres së Shëndetësisë, Milva Ekonomi, për prezantimin e aktivitetit përfundimtar të projektit 3-vjeçar “Shqipëria nesër”.

Në konferencë morën pjesë, Mirko Panichi, koordinator i projektit “Shqipëria nesër”, Diana Çuli, Presidente e “Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare”, Paolo Castelletti, President i organizatës “Psicologi per i Popoli nel Mondo”, subjekte të përfshirë në projekt, si edhe mjekë psikiatër dhe specialistë të shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë e ka mbështetur këtë projekt nga 1 Maj 2011 – 30 Prill 2014, objektivat e të cilit ishin në përputhje me Politikën Kombëtare për Zhvillimin e Shërbimeve të Shëndetit Mendor në Shqipëri, si dhe Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor, për të krijuar një sistem shërbimesh, ku individët në nevojë ndihmohen dhe mbështeten në mjedisin ku jetojnë, duke u respektuar personalitetin, vlerat, aftësitë, veçantitë, parapëlqimet dhe burimet e tij.

Zëvendësministrja Ekonomi shpjegoi edhe qasjen që ka ndjekur Ministria e Shëndetësisë gjatë këtyre viteve, për të decentralizuar dhe deinstitucionalizuar shërbimin e shëndetit mendor, si edhe përpjekjet për të futur qendrat komunitare dhe profesionistë të fushave të tjera për të ofruar shërbim më të plotë për këta të sëmurë. Ajo tha se për shëndetin mendor kemi pasur kujdesin pak të centralizuar në katër rajone: Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, dhe decentralizimi dhe deinstitucionalizimi ndodhi prapë nëpër këto rajone.

Në thelb të projektit ishin aktivitetet rehabilituese për personat me probleme të shëndetit mendor dhe familjarëve të tyre, gjithashtu punësimi i 30 (tridhjetë) pacientëve të caktuar prej referentëve të shëndetit mendor në Berat e Shkodër, pranë dy qendrave infopoint, pranë strukturave të agroturizmit dhe në aktivitetet bujqësore që ky projekt ka vënë në lëvizje.
Shtuar më 16/05/2014, ora 17:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori