Shenasi Rama: Fullani, kurban i mafies së Tiranës
Pëlqej
Veprimtari i njohur, Shenasi Rama, ka komentuar dhe analizuar prapaskenat e arrestimit të bujshëm të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i konsideruar si arrestimi më i bujshëm që nga rënia e regjimit komunist. Lideri i Lëvizjes së Dhjetorit ’90 e lexon arrestimin e Fullanit si një kurban i oktapodit të mafies së Tiranës, për të mbyllur sherret dhe marrëveshjet e veta, shkruan Sot.

Rama shton se Ardian Fullani është kurban i mafies siç ishte edhe dëshmitari kyç i Gërdecit, Kosta Trebicka dhe bosi i bankave, Artan Santo.

Interes ekonomie dhe vrasja e Santos

Ai pohoi se goditja e Fullanit lidhet edhe me interesa ekonomike. "Gjërat duhen parë në kontekst. Paria ka sherret e veta edhe më të mëdha sepse gjatë këtij viti janë prekur interesa të thella ekonomike e politike, janë prishur shumë marrëveshje, kanë ndërruar interesat dhe në kontekstin e gjërave, ky ishte një skandal mesatar. Si pasojë e këtyre sherreve me pasoja, (kush do të mbijetojë dhe kush do të kontrollojë këtë e atë strukturë) jo e vrasjes së Santos që ishte një Santone i vogël, si e pata thënë me kohë, dhe që iku për të shpëtuar familjen, kjo verë do të ishte e nxehtë për parinë e Tiranës, sepse do të kishte përplasje dhe larje hesapesh, sepse për para këto nuk të falin. Për më tepër të gjithë janë të pasigurtë se çfarë po intrigon tjetri", ka theksuar Rama.

Mafia e Tiranës

Shenasi Rama ka pohuar se në Tiranë funksion dhe vepron mafia politike. "Mirëpo, ka që e besojnë dhe duan të besojnë. Për mua, arrestimi i Fullanit për shkaqe banale e që e shumta duhet të shoqërohen me një vërejtje në punë, të shtyn të bësh pyetje të pakëndshme lidhur me parinë sunduese. Për shembull, nëse Fullani është përgjegjës për gjithçka ndodh në Bankën e Shtetit Shqiptar, a është përgjegjës K/M për gjithçka ndodh në shtetin shqiptar? E me radhë, ministri, drejtori, deputeti, Kryetari i Bashkisë. Sipas kësaj akuze të prokurorisë, e gjithë paria e Tiranës duhet të shkojë në burg, sepse të gjithë janë të përfshirë në skandale të papara kund në botë. Diku tjetër fle lepuri. Por, ne jemi një shoqëri ku asgjë nuk është si duket, ku çdo gjë është propagandë dhe ku qëllimi nuk është që të zgjidhet problemi por që “të futen njerëzit në film” e të kalohet skandali i radhës. Tani si duket ky filmi? Si e kam thënë pak orë mbas ekzekutimit të Artan Santos, Tano Karidit të Oktapodit të Mafias Politike të parisë shqiptare, dhe të themi se kam qenë i pari dhe i vetmi për ca ditë, kjo ishte një shenjë e qartë se kishte nisur larja e hesapeve midis parisë së Tiranës", ka pohuar ai.


Prapaskenat

"Diku ishin prishur llogaritë dhe dikush kishte shkelur në kallo… dhe lista e këtyre pisllëqeve ishte e gjatë, ndër të tjera, qarkullimi i parave të papastra, kapja e drogës me vlerë 125 milionë të Lazaratit, përdorimi i paligjshëm i 75 milionëve të depozituar nga Azerët, ndërtimi i një rrjeti kriminal të bankave të sistemit të dytë përmes lidhjeve personale të bankierëve tanë, presionet e qeveritarëve të mëparshëm dhe të tanishëm që përdorën bankat e sistemit për të kryer punët e veta e me radhë, një listë e gjatë që nuk di njeriu nga ta kapë më parë, sepse është më kriminale se sa krimi, më e djallëzuar se vetë punët e dreqit. Sepse ne jemi i vetmi vend ku paratë as nuk hyjnë e as nuk dalin nga banka, ku thuhet se hajni i vodhi i vetëm me brecka të sofistikuara, dhe ku duhen dhjetëra vete, e një omerta e spikatur për të drejtuar këtë sistem për kaq shumë kohë e pa u vënë re fare". /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 13:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori