Incidentet dhe kërcënimet mes demokratëve në Mbledhjen e Kryesisë, Bardhi: Hedhin në erë bashkëjetesën në PD

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me kërcënimet dhe incidentet që u regjistruan gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, e cila zgjati rreth tetë prë.

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ku u vendos për hapjen e garës së menjëhershme për kryetar u shoqërua me tensione të shumta, përplasje, dhunë verbalë në selinë e PD-së zyrtare.

Në lidhje me këtë Bardhi tha se përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë.

Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë.

Vetëm pak ditë pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së dhe pozicioni i kreut të grupit parlamentar.

Pas dorëheqjes së tij, Alibeaj tha se partia duhet të riorganizohet për t’u ndarë nga Sali Berisha dhe për të ndërtuar aleancë me potencial për zgjedhjet e vitit 2025.

Si rrjedhojë, Gazment Bardhi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj. Sakaq largimi Alibeajt ka sjellë në dritë skenarin për rikthimin e Lulzim Bashës.

Ia vlen të theksojmë se Lulzim Basha nuk ka folur publikisht për një rikthim në PD. Mbetet për tu parë se si do procedohet me liderin e PD-së zyrtar./albeu.com/


Shtuar 7.06.2023 11:17