Arrestimi i Vangjush Dakos, Basha: Simbol i krimit dhe blerjes së votës, shpresoj mos ndodhë si me Tahirin

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha, në vijim të takimeve të tij me të rinjtë në Shqipëri, është ndalur këtë të mërkurë në qytetin e Elbasanit.

Gjatë takimit me të rinjtë Basha ka komentuar edhe arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, një ditë më parë, i cili akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Në fjalën e tij Basha tha se shpreson që rasti i Dakos mos jetë i njëjtë me atë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u lirua pak ditë më parë.

Në fakt është një debat që e has vetëm kur takohem më të rinjtë, por që nuk kryhet në aulat e medias tonë. Sepse media ka halle të tjera. Politika ka halle të tjera, që nuk janë hallet tuaja por janë hallet e tyre. Në fakt disa prej tyre janë bërë për hall. Të gjithë e dimë, tani po bën ciklin e lajmeve prej kaq kohe, arrestimi i një figure të njohur të politikës, një “non grate”, Vangjush Dakos.

Në fakt është arrestuar me urdhër të SPAK-ut, për një pallat. Por shpresoj të mos jetë vetëm kaq, të mos jetë njësoj si me Saimir Tahirin që doli nga burgu sepse ishte dënuar vetëm për “Shpërdorim detyre”, ndërkohë që SPAK-u vazhdon proceset juridike, në Gjykatën e Lartë, anëtarësinë në një organizate kriminale. Të gjithë e dini e mbani mend, e mbushi Shqipërinë më drogë.

Por edhe rasti i Vangjush Dakos nuk është i panjohur, për personin që ka përvojën më të vogël politike për shkak të moshës, është njeriu që u bë i famshëm për përgjimet e “339”-ës sesi shiteshin dhe bliheshin vota në bashkëpunim me krimin e organizuar apo afera të tjera.

Shpresoj shumë që të jetë fillimi i një hetimi të një personazhi famëkeq, i korrupsionit dhe lidhjet me krimin. Të një simboli të blerjes së votës, si e keqja më e madhe që ka shkatërruar besimin e qytetarëve tek vota dhe në veçanti të rinisë tek demokracia, tek zgjedhjet.

A do të jetë apo jo? Kjo mbetet për tu parë”, u shpreh Basha.


Shtuar 7.06.2023 17:23