Shembet nje pallat ne Gjirokaster
Pëlqej
Albeu.com
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin jugor të Gjirokastrës. Një pallat 5-katësh është shembur. Shkak i shembjes është bërë rrëshqitja e dherave, pasi fare pranë pallatit të ndërtuar vitet e fundit, po ndërtohej një pallat i ri.Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Gjirokastër, deklaroi pak minuta më parë, se ngjarja e sotme është shumë e rëndë, ndërsa theksoi se e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek shpëtimi i personave që ndodhen nën rrënoja. Berisha theksoi se mund të ketë ende persona nën gërmadha, duke e bazuar deklaratën e tij mbi të thënat e banorëve. Të gjithë banorët, që tanimë kanë mbetur pa strehë do të akomodohen në hotel. Kreu i qeverisë, i cili po ndjek nga afër ngjarjen, premtoi se do të ketë hetim të gjithanshëm.


(ora 14:30)Ruli: Nën rrënoja dyshohet të jenë tre persona

Ministri i Ekonomisë dhe njëkohësisht edhe deputeti i Gjirokastrës , Genc Ruli konfirmoi në këto momente se nën rrënojat e pallatit të shembur dyshohet se ndodhen 3 persona. Ruli u shpreh se "pjesa që ka mbetur ende e pa shembur nga pallati, paraqet rrezikshmëri", ndërsa shtoi se të gjithë banorët janë evakuuar nga zona. Ndërkohë në Gjirokastër, ka mbërritur edhe kryeministri Sali Berisha, i cili po këqyrë nga vendngjarja.

Atje ka mbërritur edhe zëvendës ministri i Brendshëm Ferdinant Poni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti Ahmet Premçi, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, si dhe një sërë zyrtarësh të tjerë. Ministria e Brendshme në një komunikatë zyrtare, pak minuta më parë, bëri të ditur se forcat e Policisë kanë shoqëruar drejtues të punimeve të firmës “Arti shpk”, njëri prej të cilëve në afërsi të pikës së kalimit kufitar Kakavijë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

(ora 13:50)Gjirokastër, shembet pallati pesëkatësh, vijojne kerkimet

Forcat speciale dhe helikopterë janë nisur nga Tirana në drejtim të Gjirokastrës, për tiu ardhur në ndihmë banorëve që janë plagosur sot nga shembja e një pjese të pallatit. Deri më tani, nga rrënojat janë nxjerrë 11 banorë, ndërsa policia njofton se ende dyshohet se ka banorë të tjerë poshtë rrënojave, pasi dëgjohen klithmat e tyre. 9 banorë rezultojnë ende të zhdukur. Edhe kryeministri i vendit Sali Berisha, do të niset shumë shpejtë për në Gjirokastër, për të qenë i pranishëm në procesin e shpëtimit të banorëve.

Në vendngjarje, janë 5 ambulanca, të cilat po ndihmojnë banorët për ti transportuar me shpejtësi në spital. Rreth 20 familje tanimë kanë mbetur të pastrehë nga shembja e ndërtesës së tyre. Por ndërkohë, situata përkeqësohet, pasi pallati katërkatësh nuk është shembur i gjithi, ndërsa është i lëkundshëm. Policia ka evokuar të gjithë banorët përreth. Pjesa tjetër e pallatit pritet të shembet nga çasti në çast.

(ora 12:50) Gjirokastër, shembet pallati katërkatësh, 5 te humbur

Lajmet më të fundit nga qyteti i Gjirokastrës, bëjnë të ditur se të plagosurit janë dërguar me shpejtësi në spitalin Rajonal Omer Nishani, për të marrë ndihmën e parë, pas frakturave të marra nga shembja e ndërtesës. Deri më tani rreth 10 banorë janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa po punohet për të nxjerrë të tjera trupat që mund të jenë brenda ndërtesës. Pesë banorë, midis tyre një grua dhe një vajzë e vogël 8-vjeçare, ende nuk janë gjetur, ndërsa dyshohet se janë nën rrënoja.

(ora 12:05) Gjirokastër, shembet pallati pesëkatësh, 5 të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin jugor të Gjirokastrës. Një pallat 5-katësh është shembur. Shkak i shembjes është bërë rrëshqitja e dherave, pasi fare pranë pallatit të ndërtuar vitet e fundit, po ndërtohej një pallat i ri. Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të diel rreth orë 11 e 45 minuta në lagjen “11 janari”.

Forcat policore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje të shoqëruara edhe nga ambulancat dhe forcat zjarrfikëse. Deri më tani, janë nxjerrë nga rrënojat 5 të plagosur, mes tyre një grua e moshuar dhe një vajzë 5-vjeçare. Mendohet se në pallat jetonin 30 familje. Deri më tani, nuk dihet numri i personave që janë gjendur brenda ndërtesës, ndërsa dyshohet se ka viktima. (start)
Shtuar më 10/11/2008, ora 00:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori