Policia gati për shembjen e godinës përballë Ekonomikut (FOTO-LAJM)

UPDATE - Policia e Tiranës ka njoftuar sonte se duke filluar nga orës 07:00 e datës 20 Tetor 2013 deri në një njoftim të dytë, nga shërbimet e policisë së kryeqytetit do të bëhet bllokimi i zonës përreth godinës 5-katëshe, përballë Fakultetit Ekonomik, godinë e cila pritet që deri nesër në orën 10 të jetë shembur.

Sipas Policisë, këto do të jetën rrugët që do të bllokohen:

• Rruga “Arben Broci” nga kryqëzimi i rrugës Elbasanit deri tek Kinoklubi i Qytetit Studenti;
• Nga Kinoklubi i Qytetit Studenti deri te fusha e sportit;
• Fusha e sportit deri tek disko Calvin, në rrugën e Elbasanit;
• Disko Calvin deri tek Fakulteti Ekonomik;
• Gjithë gjatësia e rrugës “Gramos Pashko”.

Gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth objektit dhe brenda zonës do të jenë të mbyllura. Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura.

Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin nga "Rruga e Elbasanit" deri tek Pallati i Brigadave, deri në një njoftim të dytë.


15:00 - Pronari i godinës 5-katëshe pranë Fakultetit Ekonomik kundërshton prishjen e ndërtesës, me pretendimin se ka ngritur pa leje vetëm dy kate, ndërsa për të tjerat shprehet se disponon dokumentet e nevojshme.

“Unë jam banor i Tiranës që në vitin ‘91 dhe këtë ndërtesë e kemi bërë me shumë sakrifica. Kjo ndërtesë është zhvilluar në mënyrë siç kanë ndërtuar të gjithë shqiptarët, me borxhe, me kredi. Është me dokumente, me leje ndërtimi edhe nga Bashkia e Tiranës dhe i kërkoj edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës të prononcohet për këtë objekt. Kam ruajtur parametrat inxhinerike. Vetëm 2 kate janë pa leje. Unë nuk kam një letër zyrtare nga INUK, por këta duan ta shembin nga themelet. Unë kërkoj nga shteti që të më ndihmojë. Kërkoj drejtësi, të sistemohemi në këtë banesë jo të shkatërrohet kjo banesë. Mundi dhe djersa ime të mos shkojnë dëm. Jemi 3 vëllezër që banojmë këtu, 18 veta. Është me leje tash 23 vjet këtu”, ka thënë pronari.

Pak javë më parë objekti në fjalë u bë shkak për nisjen e një greve të studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Ekonomik.


12:50- Policia e Rendit ka nisur sot aksionin për prishjen e godinës 5-katëshe e cila ndodhet pranë Fakultetit Ekonomik në hyrje të Qytetit Studenti. Specialistët e INUK kanë bërë matjet e nevojshme për shembjen me tritol të godinës, ndërsa forcat e ushtrisë po hapin vrima në kollonat e saj, pasi aty do të vendosen kallëpët me tritol.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat speciale dhe dy kamionë të ushtrisë dhe po punojnë për realizimin e shëmbjes së ndërtesës. /albeu.com/
Shtuar më 19/10/2013, ora 21:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori