Shefja e ONM: Deri tani 113 prokurorë e gjykatës të korruptuar 8 Gusht 2019
Në Shqipëri, proçesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi ka marrë shumë vëmendje në opinionin publik për shkak se ai po shoqërohet me largime në masë të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Kjo ka sjellë kolaps të dy gjykatave asaj kushtetuese dhe të lartë, dhe për pasojë debati politik dhe ai në rradhët e drejtësisë po zhvillohet me tone të larta.

Kritikët e Vettingut shohin tek ai një proces agresiv, në disa raste me standarte të dyfishta dhe të ndikuar politikisht nga shumica qeverisëse. Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë të posaçme me shkrim për Zërin e Amerikës, i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar ato si sinjale se Vetting po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Ajo mohoi që ky proçes të jetë nën ndikime politike, dhe nënvizoi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Rivleresimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi, ka larguar nga detyra 74 prokurorë dhe gjyqtarë ndërsa 39 kanë dhënë dorëheqje. Në total 113 prokurorë dhe gjyqtarë i mungojnë sistemit dhe për rrjedhojë dy gjykatat ajo kushtetuese dhe e lartë s’mund të marrin vendime për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

Vetting-u monitorohet nga Operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Gati tre vite nga miratimi, ai ka marrë mjaft vëmendje jo vetëm si produkti i parë i reformës në drejtësi por edhe si test për ecurinë e saj. Shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera në përgjigjet me shkrim i tha Zërit të Amerikës, se ky proçes synon kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

“Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit”- pohon shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera.

Që prej fillimit të proçesit të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët janë bërë afro 4 mijë e 200 denoncime nga qytetarët. Ato merren në shqyrtim nga organet e Vetting dhe nëse ka prova dhe fakte bindëse për prokurorët dhe gjyqtarët e denoncuar këto ndikojnë në marrjen e vendimeve për ta, gjatë rivlerësimit, i cili bazohet në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe kriterin profesional.

“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut.

Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

Shefja e ONM është e bindur se proçesi i Vetting ka dhënë një mesazh të fortë për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin. “Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethënëse.

Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin. Disa ditë më parë, me rastin e përurimit të Pallatit të ri të Drejtësisë në Tiranë, unë ndoqa një ceremoni diplomimi të Shkollës së Magjistraturës. Unë isha shumë krenare që pashë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që merrnin detyrën dhe të betoheshin për t’i shërbyer Kushtetutës”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Për më tepër, ne kemi dhënë kohët e fundit 42 milion € nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të raportojmë në detaje për situatën e Shqipërisë në raportet e Komisionit. Siç e shihni, angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës.

Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.
Shtuar më 08/08/2019, ora 19:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori