SHBA-te ne OKB: Statusi i Kosoves dhe kufijte jane zgjidhur
Albeu.com
Kosova nuk do të pranojë negociata të reja për status, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Nuk do të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës, pasi kjo çështje ka përfunduar”, tha ministri Hyseni në seancën e Këshillit të Sigurimit, raporton Radio Europa e Lire.

Më tutje, ai theksoi se “nuk do të ketë biseda për ndarjen e Kosovës". "Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Hyseni dhe shtoi se “çdoherë mund të ketë biseda dhe diskutime ndërmjet shteteve fqinje”.
Këto qëndrime të ministrit Hyseni i mbështeti zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Brooke Anderson, duke thënë se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe se “ndarja nuk është e pranueshme”. Ajo vlerësoi se “statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur”.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, theksoi se Qeveria e Serbisë kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, vendimi i ardhshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të krijojë një “mundësi të paprecedent” për kompromis ndërmjet serbëve e shqiptarëve.
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, në këtë mbledhje deklaroi se situata e përgjithshme në Kosovë është edhe më tutje stabile, por mbetet potencialisht e ndjeshme.
“Mungesa e pajtimit ndërmjet bashkësive edhe më tutje është sfidë, e cila është përforcfuar me vështirësitë ekonomike”, tha ai.
Sipas tij, “me ndihmën e UNMIK-ut, Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të kenë kontakte lidhur me personat e pagjetur dhe çështjet fetare”.
Zanier tha se UNMIK-u edhe më tutje luan rol neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mban kontakte me Serbinë dhe Kosovën.
Shtuar më 18/05/2010, ora 09:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori