SHBA-te inkurajojne shqiptaret e Lugines per formimin e Keshillit Nacional
Albeu.com
Shefja e zyrës për çështje politike në Ambasadën Amerikane në Beograd, Debora Menuti dhe sekretari politik, Eric Collings, të martën në Bujanoc, e të mërkurën në Preshevë, janë takuar me prefektin e ... Bujanocit, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e asamblesë komunale të Preshevës, Skender Destanin. Në këto takime është biseduar rreth gjendjes aktuale politike dhe asaj ekonomike që po mbizotëron në Luginën e Preshevës.
Sipas prefektit të Bujanocit, Shaip Kamberit, në këtë takim është biseduar rreth gjendjes politike aktuale në Luginën e Preshevës, e me theks të veçantë, rreth formimit të Këshillit Nacional Shqiptar dhe vendosjes së pushtetit multi-etnik në Bujanoc.

Kamberi tha të ketë njoftuar ambasadoren amerikane me rrjedhat e përgjithshme në komunë të Bujanocit, e veçmas me procedurën e formimit të listës zgjedhore të këshillit nacional, reformat e fundit në gjyqësi, integrimin e shqiptarëve në
institucionet shtetërore, formimin e pushtetit multietnik në komunë, si dhe për
potencialet e komunës në sjelljen e investitorëve të huaj.
“Ambasada amerikane po jep mbështetjen e saj të plotë për iniciativën për
zgjedhje direke të Këshillit Nacional të Shqiptarëve”, theksoi Kamberi, duke
shtuar se ”të kenë biseduar edhe për përfshirje e serbëve në pushtetin lokal
në Bujanoc, për të cilën gjë këshilltarët amerikanë në ambasadën amerikane
kanë inkurajuar të dy palët për të gjetur zgjidhje që do të jetë e kënaqshme për të gjithë”.
Edhe kryetari i asamblesë komunale të Preshevës, Skender Destanin, i ka njoftuar zyrtarët amerikanë me situatën e përgjithshme në Luginën e Preshevës, si dhe me gjendjen e vështirë ekonomike, sociale, çështjet e procesit të vështirë arsimor, stabilitetin politik si parakusht për i investimeve ekonomike, dhe me procesin e formimit të Këshillit nacional.
Ndërsa, ambasadorja amerikane, Menuti, duke inkurajuar shqiptarët e Luginës për këtë hap që kanë ndërmarrë për formimin e Këshillit Nacional, theksoi se të jenë shumë të interesuar për këtë këshill, dhe gjithashtu beson që ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe një mundësi shumë e mirë për të gjithë komunitetin shqiptar.
“Këshillat Nacionale janë një mundësi shumë e mirë për të ngritur zërin
tuaj në sfera të ndryshme, siç është edukimi, kultura, informimi dhe kjo
është një gjë shumë e rëndësishme për arritjen e të gjitha këtyre
qëllimeve dhe gjithashtu duke pasur parasysh mundësinë që përmes këshillit nacional të ndikohet edhe në qendrën e Beogradit”, theksoi Menuti, duke shtuar se “shpresojmë që ky proces do të arrihet, ashtu siç e kemi planifikuar dhe shpresojmë që zgjedhjet të planifikuara në qershor të kryhen ashtu siç është paraparë”.
Shtuar më 10/02/2010, ora 23:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori