SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin sovranitetin e Kosovës
Albeu.com
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin sovranitetin e plotë të Kosovës, ka thënë ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit Rozmari Di Karlo.Ajo këtë e tha gjatë takimit që pati dje në Prishtinë me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiun dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Ajo ka premtuar se SHBA ja do të ndihmojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës. Di Karlo ka përgëzuar kosovarët për pavarësinë, të arriturat pas saj dhe për rrespektimin e të drejtave të komuniteteve. Pas takimit që ka pasur dje pasdite me krerët e shtetit Di Karlo theksuar edhe njëherë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa 15 qershorin e cilësoi si datë të rëndësishme për Kosovën pasi institucionet vendore do t'i marrin përgjegjësitë që u garantohen me Kushtetutën e Kosovës. Ndërkaq duke folur për rolin e EULEX it, Di Karlo ka thënë se OKB ja do të jetë në Kosovë, por sipas saj ende është duke u diskutuar për rolin që ajo do të ketë. "Ju e dini se misioni planifikues evropian ndodhet në terren. Piter Fejt është këtu dhe është duke punuar. SHBA është duke negociuar për participimin e saj në misionin evropian. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë rolin e tyre në Kosovë, por se çfarë do të jetë roli i tyre, varet nga diskutimet që janë duke u zhvilluar", ka thënë Rozmari Di Karlo. Diplomatja amerikane ka shtuar se Organizata e Kombeve të Bashkuara do të jetë prezente në Kosovël, por ende nuk dihet se cili do të jetë roli i saj. Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e cilësoi vizitën e zonjës Di Karlo si shprehje të vazhdimit të mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e Kosovës dhe të popullit të saj. Ai tha se SHBA të mbështesin në vazhdimësi zhvillimin e Republikës së Kosovës në mënyrë që Kosova së shpejti të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Presidenti Sejdiu ka nënvizuar se pas 15 qershorit institucionet e vendit do të marrin në duarë udhëheqjen së bashku me prezencën e re civile ndërkombëtare. "Do të punojmë në veçanti në implementimin e projektit të Ahtisarit për të cilin ne jemi zotuar se do ta bëjmë", ka thënë Presidenti Sejdiu. Ai ka shtuar se i ka dhënë zonjës Di Karlo garancitë e institucioneve kosovare se do të vazhdojnë këtë qasje për ndërtimin e shtetit dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve. (QIK)
Shtuar më 23/05/2008, ora 22:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori