SHBA shpreh zhgënjim: BE dështoi me negociatat, Franca të gjejë zgjidhje
SHBA ka shprehur zhgënjimin e saj të madh me Francën, që bllokoi aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, për në BE, duke thënë se dështoi kjo e fundit, madje zyrtarët e lartë amerikanë u kanë kërkuar zyrtarisht francezëve të korrigjojnë gabimin.

Përfaqësuesi i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer e konsideron një dështim mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për radion Europa e Lirë, zyrtari i lartë ka deklaruar se pret që Këshilli Europian të gjejë një rrugë për të korrigjuar gabimin.

“Mendoj se është një mesazh thellësisht negativ për të gjithë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por gjithashtu krijon një atmosferë negative edhe për procesin e dialogut. Dështimi i Këshillit Europian për të arritur një kompromis është thellësisht për të ardhur keq.

Por, palët duhet të shkojnë përtej kësaj. Është në interesin e tyre më të mirë për ta bërë këtë, dhe besoj se Këshilli Europian do të gjejë një mënyrë për të ecur përpara, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, dhe se ata përsëri do të përqendrohen në perspektivën europiane të të gjithë rajonit”, theksoi Palmer.

Gjatë vizitës në Shkup, Matthew Palmer bëri të ditur se Uashingtoni ia ka shprehur zhgënjimin Francës, mbi veton që u vuri dy vendeve duke i bllokuar ato, madje i ka kërkuar që të gjejë një konsensus për çështjen e zgjerimit.

“Sigurisht ua kemi bërë të qartë partnerëve tanë francezë, në nivel shumë të lartë, se jemi thellësisht të zhgënjyer me pozitën që Parisi mori në Këshillin Evropian. Nuk ishte një “jo”, nuk u vendosën kushte të reja. Reflekton realitetin e pamundësisë së Këshillit për të arritur një konsensus, por kjo nuk nënkupton që ata nuk do të vazhdojnë të punojnë për arritjen e një marrëveshje për këtë gjë, në një të ardhme të afërt dhe SHBA-të do të lobojnë për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë në këtë kontekst”, theksoi Palmer.

Edhe presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka konfirmuar se nuk është thënë ende fjala e fundit për Tiranën dhe Shkupin dhe se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për BE në arritjen e një konsensusi përpara samitit të Zagrebit, i cili do të mbahet në maj të vitit 2020.

Gjatë samitit të fundit në Bruksel më 18 tetor çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me BE-në, të shqyrtohet në samitin e radhës së Zagrebit. Italia, Austria dhe disa vende të tjera kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet më shpejt, dhe duket se edhe SHBA qëndron krah kësaj ideje, duke shtuar presionin në anën e Francës./REL
Shtuar më 02/11/2019, ora 18:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori