SHBA rithekson qëndrimin ndaj Kosovës dhe paralajmëron Serbinë
Pëlqej
Albeu.com
SHBA kanë ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e tyre të palëkundur në mbështetje të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, ndërkohë që i kanë tërhequr vërejtjen Serbisë që të mos planifikojë apo nxisë çfarëdo konfliktesh gjatë periudhës kalimtare të statusit.Nënsekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Politike, Nicholas Burns ka theksuar dje në një fjalim të tij në Kongres se nëse nuk do të ketë një marrrëveshje deri më 10 dhjetor, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj ndaj Kosovës. Në fjalën e tij para nënkomisionit për Çështje të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, nënsekretari Burns ka paralajmëruar Serbinë rreth përpjekjeve të saj për nxitje të cfarëdo konflikti, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se NATO-ja ka 17 mijë ushtarë në mesin e të cilëve edhe 1500 ushtarë amerikanë të cilët kanë mandatin për ruajtje të rendit dhe sigurisë. "NATO-ja do të shtypë çfarëdo përpjekje nga cilado palë për ta marrë ligjin në duar të veta me qëllim të ndarjes apo destabilizimit", tha nënsekretari Burns duke qenë zyrtari i parë amerikan që në këtë fazë të ndjeshme jepë garancionet për paprekshmërinë e kufijëve të Kosovës gjatë periudhës tranzitore të statusit. Ai edhe njëherë ka ritheksuar se duhet t'i besohet NATO-së në kryerjen e detyrës por njëkohësisht edhe diplomacisë në mënyrë që të bindet populli se duhet të ecë përpara, duke pas parasysh faktin se 95 për qind e banorëve që jetojnë në Kosovë janë shqiptarë. Komentet e djeshme të nënsekretarit Burns para Kongresit kanë pasuar pas një takimi në Departmentin e Shtetit me dy nga tre ndërmjetësuesit që po udhëheqin biseidmet shtesë, Wolfgang Ischinger dhe Frank Wisner.
Ischinger në një fjalë të tij të mbajtur në Këshillin Atlantik në Washington pardje ka thënë se treshja ndërmjetësuese po përgatitet t'u paraqesë palëve propozimin e ri të quajtur 'status neutral'.
I pyetur lidhur me këtë propozim zëdhënësi i Departmenti të Shtetit, Sean McCormack tha se 'qëndrimi amerikan mbetet i pandryshuar'. "Unë nuk di se çfarë ka thënë ai, por po ju them se qëndrimi ynë për Kosovën është i pandryshuar", tha McCormack,duke shtuar se nëse një propozim i ri përputhet me parametrat e qëndrimit tonë, atëherë jam i sigurt se do ta dëgjojmë. Ne do të dëgjojmë çfarëdo qe të jetë ai, mirëpo ne kemi qenë shumë të qartë për këtë çështje", tha Mccormack. Ai njoftoi se dje kanë biseduar për Kosovën edhe Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice dhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt në një takim në Washington. "Sekretarja Rice ka dëgjuar mendimet e tij për Kosovën dhe në të njëjtën kohë ja ka përsëritur qëndrimin tonë rreth kësaj çështje," tha zëdhënësi Mccormack. /S.gashi, rtk/
Shtuar më 15/11/2007, ora 20:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori